Dje u shënua njëra ndër masakrat më mizore të ushtrisë serbe ndaj popullit shqiptar; ajo e Dyzit, më 18 prill 1999, shkruan Llapi.info.
Qindra civilë të pafajshëm dhe të pambrojtur u masakruan në mënyrën më mizore nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Në mesin e tyre ishin edhe Zenun, Havë dhe Nazmi Haziri.
Zenuni dhe Hava, burrë e grua nga Podujeva, e kishin parë me sy të tyre, djalin e tyre, Nazmiun, teksa forcat serbe e masakruan për së gjalli.
Njësoj sikur Nazmiut, edhe Zenuni dhe Hava, pësuan njësoj, për të vetmin “faj”, që ishin shqiptarë.
Ngjarjen për masakrën ndaj tyre, e kishte rrëfyer Fitim Haziri – deputet i Lëvizjes Vetëvendosje – i cili është familjar me ta.
Ai kishte treguar se si kishte ndodhur e gjithë ngjarje ndaj axhës, gruas së axhës dhe djalit të axhës së tij.
Shkrimi i plotë nga Fitim Haziri;
Më 18 prill të vitit 1999, në fshatrat Dyz dhe Koliq, 70 civilë shqiptarë, u masakruan në mënyrën më çnjerëzore në atë që njihet si masakra e Dyzit.
Në mesin e viktimave, ishte edhe axha im; Zejnuni, gruaja dhe djali i tij; Havë dhe Nazmi Haziri.
Nëna Havë nuk mundi të duronte që ta shihte paramilitarin, teksa ushtronte dhunë të tmerrshme fizike mbi djalin e saj, Nazmiun. E tërhoqi Nazmiun për dore, duke kërkuar nga paramilitarët serb që të goditej ajo, e jo djali i saj. Siç dinin të bënin vetëm ata, ushtarët dhe policët e Serbisë, ekzekutuan nënën Havë në sy të agës Zejnun e Nazmiut të ri. Dhe më pas një gjë të tillë e bënë edhe ndaj 69 civilëve tjerë të pafajshëm.
Ne sot, vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, për të gjithë ata që pësuan nga terrori serb. Vazhdojmë të kujtojmë të rënët që ikën me shpresën e një jete në liri. Që ikën padrejtësisht nga kjo botë, e drejtësia për ta ende nuk shkoi ne vend.
Vetëm atëherë kur drejtësia të jap dënimin për këto e sa e sa krime të ndodhura, ne si popull do vazhdojmë të marrim frymë lirshëm.
Qofshin të mëshiruar të gjithë vëllezërit dhe motrat, mbi gjakun e të cilëve sot jetojmë në liri.







