Pasagjerja e autobusit të aksidentuar në Kroaci, Ilda Zeka Rexha nga Komuna e Gjakovës, ka treguar për momentet dramatike të përjetuara në aksidentim tragjik, që mori jetën e 10 personave.

Ajo në emision Radar në RTV Dukagjini, ka thënë se ka qenë në gjumë në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik, duke shtuar se nga aksidenti ka pësuar disa lëndime trupore.

“Shprehi ngushëllime familjarëve dhe bashkudhëtarëve që kanë pësuar aksidentin, falë zotit shpëtuam dhe jemi mirë, inshallah nuk përjeton askush atë që që e kemi përjetuar ne. Ka qenë ashtu e shkruar, dhe ndodhi ashtu siç e ndodhi. Nuk e mbaj mend aksidentin, kemi qenë në gjumë të gjithë pasagjerët, nuk kom qejf as shoferin me gjyku se ai nuk ka pasur qejf me ndodh kjo tragjedi. Pashë vetën në livadh, jam mundu me shpëtuar njerëz me aq forcë sa kam pasur. Prej një shoqe e kom lajmëruar babin, i kom thanë kemi pas aksident vetëm pak”, deklaroi ajo në Dukagjin.

Rexha pohoi se ka pësuar lëndime trupore por që në krahasim me ato çfarë ka parë po mundohet të gjejë forcë e të kalojë këtë gjendje.

Aksidenti tragjik i autobusit nga Kosova, që po udhëtonte nga destinacioni Frankfurt-Prishtinë ndodhi të dielën, ku si pasojë kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë u lënduan lënduan.