Lokale - eSIMy

Gazetari nga Podujeva, Haqif Mulliqi, ka ndarë një rrëfim gjatë luftës së fundit, në Zonën Operative të Llapit, shkruan Llapi.info.

Rrëfimi i Mulliqit nis me ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit, Lirak Çelaj.

Mulliqi tregon se si Liraku, një djalë i lindur dhe i rritur në Prishtinë, dëshironte të bëhej pjesë e UÇK-së.

Flet edhe për takimin e parë mes tyre, pas angazhimit në UÇK dhe për disa ndodhi tjera në Zonën Operative të Llapit.

Shkrimi i plotë nga Haqif Mulliqi;

NGA ALBUMI I LUFTËS

Kjo fotografi me aktorin, Lirak Çelaj, është bërë diku nga fundi i janarit të vitit 1999. Ishte koha kur Liraku, ende, e kishte pseudonimin “Malësori” dhe të gjithë në Zonën Operative të Llapit e njihnin kështu. Liraku ishte i veçantë për mua në UÇK: një djalë i lindur dhe i rritur në Prishtinë, vinte nga një familje intelektuale, e mbi të gjitha ishte një aktor që e njihnim të gjithë. Edhe pse, dikur, moti, moti, kishim jetuar në të njëjtën ndërtesë në Ulpianë (në D-3), familja e tij në hyrjen e III-të, ndërsa familja ime në hyrjen e IV-t, unë nuk e mbaja mend, sepse Liraku është më shumë se dhjetë vjet më i ri se unë. Njohjen dhe simpatinë për të e kam krijuar gjatë periudhës së studimeve të tija në Fakultetin e Arteve të UP-së, si student i mikut tim, prof. Fadil Hysajt, ndërsa klasa e tij ishte më e veçanta dhe më e dashura për mua.
Liraku ishte në klasë me Blerim Gjocin, Skënder Miftarin (Skënder Bek) dhe Lulëzim Guhellin që e përbënin një katërshe jashtëzakonisht premtuese për teatrin dhe filmin tonë. Edhe sot e kësaj dite është e paharrueshme shfaqja e tyre, surrealiste, “Moti pa ton”, ku djemtë e talentuar e shkruan tekstin dhe bashkërisht e bënë regjinë. Sigurisht një prej shfaqjeve më të bukura të asaj periudhe në Teatrin “Dodona”. Me këtë shfaqje këta djem mu futën në zemër, sot e atë ditë.
Kur filloi lufta në Kosovë, Liraku, duke i ditur lidhjet e mija të mira me UÇK-në, nisi të ushtronte presion se donte t’i bashkohej ushtrisë sonë. Ndërsa, dëshirën e tij të madhe për t’i bashkuar djemve të luftës, nuk e di përse, por e besova menjëherë. Bile, më kujtohet fundi i shtatorit të vitit 1998, Lirakut, meqë ishte një kompjuterist i jashtëzakonshëm dhe punonte në faqosjen e shumë gazetave, i kishte rënë në dorë një dosje tejet interesante dhe autentike për disa shqiptar që kishin punuar për vite dhe dekada për UDB-në. Ma dha dosjen me lutjen që ta përcillja te UÇK-ja. Unë atë dosje ia dorëzova njeriut të duhur në Buricë, ku, pas betejës së shtatorit, për arsye krejt strategjike qëndronte Shtabi i ZOLL-t të UÇK-së.
Në tetor Liraku më tregoi që në Kunushec, ku kishte shkuar me një mjek, ishte takuar me një ushtarë atje (Alorin) dhe i kishte shprehur dëshirën që t’i bashkohej ushtrisë sonë. Por, s’do mend se, kjo nuk ishte e mjaftueshme, dhe, një ditë, me kerrin e tij “Golf” (me ngjyrë të kuqe), shkuam në Llapashticë, aty ku ishte konsoliduar tashmë Shtabi i ZOLL-it. Aty na priti miku dhe daja im, Latif Gashi. Me Latën biseduam rreth Lirakut, por befasisht ai i parashtroi një pyetje të çuditshme Lirakut duke i thënë: “A të njeh ty Haqif Mulliqi, mirë?” Liraku disi i befasuar nga kjo pyetje, më shikoi mua dhe iu përgjigj: “Unë mendoj se po, nuk e di.”
Pas kësaj unë e prezantova më detajisht Lirakun para Latës, me theks që është mirë që një aktor, një fytyrë publike t’i bashkohet UÇK-së, ngase, për mua kjo kishte rëndësi të madhe; e dyta, se Liraku e kishte anglishten shumë të mirë dhe, e treta, se ishte një mjeshtër për kompjuter dhe kjo ishte, gjithashtu, diçka që i nevojitej shtabit. Lata nuk u mëdysh, i dha Lirakut dhjetë ditë që të bëhej gati e të vinte në Zonë, ndërsa kur më doli te dera i tha: “Jo dhjetë ditë, por dy javë.” U përshëndetëm me Latën. Me kerrin e Lirakut u kthyem në Prishtinë. Mendoj se bisedën që e zhvilluam gjatë rrugës e mbaj mend fjalëpërfjalë. Por, unë në vete ndieja një trishtim të madh, ngase më shqetësonte mendimi: Po çfarë nëse i ndodh diçka në luftë, Lirakut? Hë, si do ta ndieja veten unë?! Apo, si do t’i dal para syve, Zenun Çelajt, më, në jetë?!
Edhe pas dy javësh, me Emin Z. Eminin dhe Habib Raçin e dërguam Lirakun në Llapashticë. Kur u ndamë, më pllakosi mërzia.
Pas do kohësh, Lirakut iu desh që të vinte, ilegalisht, në Prishtinë për shkak të një operacioni në shpinë. Rreziku ishte shumë i madh për të, por, siç ndodhte me UÇK-në ai informacion nuk rrodhi dot.
Nga 15 janari i ’99-tës, shkova në Llapashticë. Në shtab kishin ardhur disa amerikan të rëndësishëm për ta takuar Remin. Remi më çoi fjalë që t’i bashkëngjitesha takimit… Ishte një takim shumë interesant. Pasi ata shkuan, Remi më pyeti:
“Si e ke shokun?”, duke aluduar te Liraku.
“Është më mirë”, ia ktheva, “por, po mërzitet se nuk është me juve në luftë.”
Remi qeshi.
“O i thuaj se, të qëndroj atje derisa nuk shërohet plotësisht, se do të ngihet me luftë, po i premtoj!”
Qeshëm të gjithë sa ishim në shtab. Pastaj, Remi u kthye edhe njëherë:
“Shihe”, më tha, “i trego se tashmë e kemi qendrën e mjekësisë shumë të përgatitur dhe me mjek të mirë, nëse bash mendon se duhet të kthehet, menjëherë, le të vjen!”
Unë asaj natë, me darkë, u ktheva në Prishtinë. Gjënë e parë që e bëra ishte të shkoja te Liraku, në Ulpianë në ndërtesën D-9. Ia rrëfeva bisedën fije për pe. Ndërsa Liraku më befasoi, duke më thënë që do të nisej që nesër të shkojë në Llapashticë.
Unë u bërë telefonata disa miqve të besuar që të na shoqëronin me makina, por nuk rezultova me sukses. Pastaj i telefonova vëllait tim, Hakiut, dhe ia shpjegova rastin. Haka e kishte një “Zastavë 101”, kerr i përshtatshëm për të lëvizur zonave të paasfaltuara. Bile, këtë gjë e kishim bërë dhjetëra herë më parë bashkë.
Të nesërmen, nga ora 9-të e morëm Lirakun dhe u nisëm. Në fakt, për të dalë nga Prishtina, dhe për t’i shmangur pikat e mundshme të kontrollit nuk e kishim problem, ngase, deri në detaje, i njihnim të gjitha rrugicat e Kodrës së Trimave, për çfarë nuk do të të ndihmonte asnjë hartë topografike. Kur dolëm nga Prishtina, ne e morëm rrugën për në Podujevë, por, befasia na ndodhi në Prugovc. Aty, tek udhëkryqi prej nga shkohet edhe në Milloshevë, ramë në një pikë serbe dhe dhjetëra e dhjetëra paramilitarë (çetnikë). Ata po e bastisnin një makinë, ngjyrë portokalli, të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Ne ishin në kerrin e parë, të radhës, ndaj dhe nuk kishim asnjë mundësi që të bënim ndonjë gjë t’i shmangeshim kontrollit Më kujtohet se Liraku e kishte çantën me vete, me shumë gjëra ushtarake dhe aksesorë të ndryshëm ushtarak. Nuk bëmë asnjë koment në kerr. Më duket se u pajtuam me fatin. Liraku tha, dikur, se i vinte keq ngase në kerr ishim dy vëllezër, pra unë dhe Hakiu. Unë ia ktheva se ai ishte fati në jetë, 2 apo 20 ai ishte fati.
Për çudinë tonë, pas ndonjë dhjetë minutash, tre katër metra larg kerrit u afrua një paramilitar, i cili dukej të ishte komandanti i grupit, na shikoi me ngulm. Ne nuk reaguam fare duke mos e dhënë asnjë shenj, dhe, për habinë tonë, ai na bëri me dorë që të vazhdonim. Kjo ishte diçka e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme. Shpëtuam.
Në Vranidoll, te kazerma, u futëm majtas, dhe nëpër Lupçin e Poshtëm, ku takuam disa shokë, arritëm tek pika e parë e UÇK-së në Majac. Komandant i atyshëm ishte Selamiu, një mik imi të cilin e kisha takuar në Drenicë, tek Fehmi Lladrovci. I tregova se Liraku duhej arritur në shtab, në Llapashticë.
U morëm ngryk me Lirakun, dhe, kur u ndamë, ai ia dhuroi Hakiut një telefon mobil, “Simens”, një dhuratë shumë e çmueshme prej një luftëtari të lirisë. Ne u kthyem. Erdhëm rrugëve të tjera që ishin të sigurta dhe që i njihnim mirë.
Fotografia me Lirakun, është bërë në Katunishtë, pas ndonjë dy javësh. Nja 20 minuta më parë, së bashku e kishim takuar, tek disa depozita të ushtrisë sonë Lekson Zhubin, djalin e mikut tim të dashur, regjisorit, poetit dhe piktorit, Shkëlzen Zhubi. Një luftëtar i madh i cili, e kishte filluar luftën, herët në Drenicë dhe i ishte afruar familjes, më vonë, duke kaluar në ZOLL. Në këtë kohë, aty erdhi një grup gazetarësh (mendoj anglez). Me ta si përkthyese ishte aktorja Rebeka Qena (vajza e Muharremit). U gëzuar për takimin. Ajo donte të bënte intervistë me dike, por Liraku këtë nuk mund ta bënte në kokë të vete. Për fat, andej kaloi Komandant Lata dhe pasi që i treguam se çfarë kërkonin gazetarët, i dha leje Lirakut që ta jepte intervistën. Pas saj, këtë foto, me kamerën time na e bëri Rebeka.
Nga aty, me ushtarët shkuam në Obrançë, prej ku, nga pika ku ishin pozicionuar forcat serbe, tek Tabet e Llapashticën nuk kishim më shumë se 400 metra vijë ajrore.

#perjetesishtuck

P.s.
Fotoja e dytë me Lirakun është bërë në “pabin” e njohur “Gjani”, në Prishtinë, nja dy vjet para luftës, dilnim
shpesh nuk e mbaj mend kush na fotografoi.