Lokale - eSIMy

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama ka thënë se janë të gatshëm për të operuar në rast se shpallet gjendje e jashtëzakonshme si shkak i situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit.

Rama tregoi detaje edhe për takimin që zhvilloi sot me Presidentin Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.

”Ne fillimisht i kemi marrë masat për personelin tonë, dhe një numër të caktuar i kemi liruar për që janë në gjendje gatishmërie”.

”Sot pata një takim me presidentin Thaci, kemi diskutuar për gjendjen aktuale por edhe në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”.

”Ne kemi Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe dihet roli i FSK-së, sa i përket kapaciteteve ne jemi në koordinim me të gjitha institucionet relevante”.

”Ne masat që i kemi marrë në realitet i kemi përkrahë me disa mbështetje logjistike”.

”Kapacitetet tona me personel mjekësor, janë për momentin të mjaftueshme, kemi ekipet tona mobile dhe autoambulancat. Kemi pajisjet më moderne”.

”Aktualisht kemi shtatë ekipe mjekësore, nga to dy janë mobile”.

”Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ne jemi të gatshëm për çfarëdo nevoje që paraqitet që të jemi në shërbim të qytetarit”.

Në Info Magazine Rama foli edhe për kapacitetet që FSK ofron për futjen e njerëzve në karantinë, njofton Klan Kosova.

”Në gjendje normale kemi afro 1800 vende që qytetarët mund të futen në karantinë në objektet në gjithë Kosovën, por në gjendje të jashtëzakonshme ato mund të rriten”.

”Aktualisht në kushte normale kemi hapësirë për 1800 njerëz të futen në karantinë në gjithë Kosovën në shtatë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.