Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.
Një përleshje fizike ka ndodhur gjatë ditës së sotme në komunën e Podujevës, ku një përplasje fizike mes të miturve ka përfunduar me shoqërimin e tetë personave në stacionin policor, ndërsa dyshohet se disa prej tyre kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Personat e përfshirë janë identifikuar dhe intervistuar nga hetuesit policorë, ndërkohë që autoritetet janë duke punuar në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të incidentit.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa Policia nuk ka dhënë ende detaje zyrtare për shkallën e përfshirjes së secilit person apo për natyrën e saktë të konfliktit.