Prishtinë – Eksperti mjeko-ligjor, Flamur Blakaj ka thënë se të dëmtuarit A.B., i ishin shkaktuar pasoja të përhershme pasi i ishte thyer ashti i kokës që pastaj copat e ashtit i kishin depërtuar në tru.

Këtë konstatim eksperti Blakaj e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj tre të akuzuarve për tentim vrasjen e Babatincës. Në këtë rast ngarkohen A.V., e I.M., se kanë rrahur të dëmtuarin me grushte dhe shqelma derisa i akuzuari i tretë, Sh.F., akuzohet se e ka goditur të dëmtuarin me kondak të revoles në vetull.

Eksperti Blakaj tha se në pikën 1 të ekspertizës ishin cekur se i dëmtuari kishte thyerje shumë copësh të ashtit të kafkës dhe këto copa kishin depërtuar në trurin e tij dhe ia kishin dëmtuar cipen e trurit ku edhe ishte kryer ndërhyrje kirurgjike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, eksperti Blakaj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Besa Limani tha se, ekzistojnë disa tabela të Bashkimit Evropian për paaftësitë fizike dhe mendore të cilat janë të adaptuara edhe nga Kosova të cilat janë të aprovuara në vitin 2016 nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas tij, konstatimet në pikën 3 të ekspertizës nënkuptojnë që dëmtimet trupore të rënda të cilat shoqërohen me pasoja të përhershme te i dëmtuari, në bazë të tabelave janë konstatuar me 5% të paaftësisë fizike për shkak të dëmtimeve të shkaktuara.

Kurse në pyetjet e avokatit të palës së dëmtuar, avokatit Fitim Gashi, eksperti Blakaj tha se thyerja e kubesë së kafkës që ishte pa deficit neurologjik, sipas ekspertizës, do të thotë se i dëmtuari nuk ka pengesa në lëvizshmëri të pjesëve të ndryshme të trupit.

Ndërsa, në pyetjet e avokatit Nazim Mehmeti tha se sipas raportit kishin të bënin me 5% të paaftësisë fizike e jo mendore duke shtuar se invaliditeti nuk lidhet fare me shkallën e paaftësisë fizike.

Tutje eksperti Blakaj në pyetjen e avokatit Mehmeti tha nuk ishin pyetje për mjekun ligjor dhe se ai nuk ishte kompetent të japë vlerësime për paaftësinë punuese, invaliditetin dhe skemat pensionale sepse ekzistonin komisione përkatëse që e jep këtë vlerësim.

Pas përfundimit të dëgjimit të ekspertit Blakaj, avokati Mehmeti tha se kishte vërejte në deklarimin e tij pasi që i njëjti nuk e kishte sqaruar mirë dhe kishte lënë shumë pa qartësi lidhur me ekspertizën për shkak se ai kishte rënë ndesh me veten.

I njëjti i propozoi gjykatës që të bëhet një ekspertizë e re më e detajuar apo një plotësim ose sqarim i ekspertizës së sotme dhe po ashtu të dëgjohen edhe dëshmitarët A.V., dhe I.F., të cilët kishin qenë të përfshirë në konflikt.

Në anën tjetër, prokurorja Limani tha se i kundërshton propozimet e mbrojtësit me arsyetimin se lidhur me ekspertizën, eksperti Blakaj ishte përgjigjur në mënyrë profesionale kurse lidhur me dëshmitaret tha se dëshmia e tyre nuk do të ishte e besueshme.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gashi tha se mbështet në tërësi kundërshtimin e prokurores, ndërsa avokatja Syla tha se mbështet propozimet e avokatit Mehmeti.

Propozimi për dëgjimin e dëshmitarëve Visoka dhe Istref, i refuzoi gjykatësja Medie Bytyqi me arsyetimin se dëgjimi i tyre nuk lejohet me Kodin e Ri të Procedurës Penale ndërsa aprovoi propozimin e avokatit Mehmeti për plotësim të ekspertizës lidhur me shqetësimet e ngritura nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Gjykatësja Bytyqi po ashtu tha se i obligon mbrojtësit e të akuzuarve, avokatet Syla dhe Mehmeti që në afat prej tetë ditësh të formulojnë pyetje lidhur me dilemat rreth ekspertizës dhe përmes parashtresës ti dërgojnë në gjykatë, ku e njëjta do ti dorëzohet komisionit të eksperteve.

Paraprakisht, në fillim të seancës gjykatësja Bytyqi, tha se gjykimi filloi rishtazi dhe palët u pajtuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar ku tutje të akuzuarit Maliqi dhe Fazliu u deklaruan të pafajshëm për veprën penale e cila iu vihet në barrë.

Tutje prokurorja Limani dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gashi dhe mbrojtësit e të akuzuarve Maliqi dhe Fazliu, avokatet Syla dhe Mehmeti thanë se mbeten pran fjalëve hyrëse të dhëna në shqyrtim fillestar.

Po ashtu, në këtë seancë nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Bytyqi u aprovua propozimi i prokurores Limani që deklaratat e të dëmtuarve dhe të dëshmitareve të dhëna në këtë çështje penale të lexohen.

Tutje lidhur me vërejtjet për këto deklarata palët thanë se qëndrojnë pranë vërejtjeve të bëra në seancat e kaluara.

Në këto rrethana seanca u ndërpre, kurse seanca e radhës për këtë çështje do të mbahet më 16 maj 2023.

Ndryshe seanca e fundit e paraparë të mbahet më 12 tetor 2020 ishte anuluar.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 19 shkurt 2019, SH.F, A.V., dhe I.F, akuzohen se më 20 shkurt 2018, në rrugën “Gryka e Llapi”, në Podujevë, afër pompës së derivateve “Al Petrol”, derisa të dëmtuarit P.K., A dhe Sh.B., ishin duke lëvizur me veturë që ishte pronë e Sh.B., i cili edhe drejtonte veturën, të pandehurit kanë bllokuar rrugën me automjetin e tipi “Golf 4”.

Në aktakuzë thuhet se ky automjet ka qenë pronë e të pandehurit F.M, të cilën e ka drejtuar i akuzuari Sh.F., dhe kanë ndalë veturën e të dëmtuarve, e më pas të akuzuarit A.V, Sh e I Fazliu, i kanë dal përpara me veturë, ku në ato çaste të akuzuarit A V., e I.M, e kanë goditur të dëmtuarin A.B., me grushte dhe shqelma nëpër trup, ndërsa, i pandehuri Sh.F., e ka goditur atë me kondak të revoles në vetull./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.