Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj një mjeku në Emergjencën e këtij qyteti, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, i pari i Podujevës e ka quajtur këtë akt të papranueshëm, derisa ka bërë thirrje që të merren masa ndaj të dyshuarit.

“Sulmi ndaj mjekut në QKMF në Podujevë është një akt i papranueshëm dhe i turpshëm. Duke e dënuar ashpër sulmin ndaj mjekut në vendin e tij të punës, kërkoj nga organet e rendit të ndërmarrin masat ligjore dhe të nxirret para drejtësisë autori i sulmit”, ka shkruar Bulliqi.

Llapi.info ka biseduar me një nga punëtorët e Emergjencës, i cili ishte prezent në momentin kur u sulmua mjeku dhe shpjegoi situatën se si kishte ndodhur.

Ai në kushte anonimiteti thotë se mjeku i sulmuar ishte duke i kontrolluar disa pacientë të tjerë në dhomën numër 3 të Emergjencës, ku brenda u fut i dyshuari me kërkesën që të shkonte në një dhomë tjetër dhe ta kontrollojë nënën e tij.

Në momentin kur mjeku i thotë se duhet të pres deri t’i përfundojë pacientët, i dyshuari e godet me grusht në fytyrë, duke ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes.

“Mjeku i sulmuar ishte duke kontrolluar një pacient në dhomën nr.3, kur një person iu drejtua me fjalët; hajde në dhomën 1 e pruna nanën edhe kontrollo. Në momentin kur mjeku ia ktheu fjalët; këtu duhet ta sjellësh, i dyshuari e ka sulmuar me boks, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe buzë. Ai menjëherë ka ikur nga ndërtesa e Emergjencës”, rrëfeu një nga punëtorët e Emergjencës në kushte anonimiteti.

Rasti është raportuar në Polici, e cila është duke u marrë me rastin./Llapi.info

“Mjeku mori lëndime në kokë dhe buzë” – Punëtori i Emergjencës rrëfen si ndodhi sulmi fizik ndaj mjekut në Podujevë