Lokale - eSIMy

Një përleshje brutale mes disa personave ka ndodhur në një kafeteri (bilardo) mbrëmë në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, ku tre persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një 21-vjeçar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore. Dy nga tre të dyshuarit, Policia ka arritur t’i kap, por Prokurori i ka liruar, teksa i dyshuari i tretë ndodhet akoma në arrati, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të para, rasti ndodhi pas një konflikti verbal, kur tre të dyshuarit sulmuan viktimën me grushte e shqelma dhe për pasojë i riu u dërgua në QKUK, për t’i trajtuar plagët që mori në kokë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se tre të dyshuarit mund të kenë lidhje familjare mes vete. Dy prej tyre janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve policorë kanë dhënë deklarata në lidhje me rastin dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë liruar, për t’u hetuar në procedurë të rregullt. Ndërsa i dyshuari tjetër është shpallur në kërkim.

Lidhur me rastin, Prokurori ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në lokalin ku ka ndodhur rrahja.