Presidenti iranian, Hassan Rohani u bëri thirrje myslimanëve në mbarë botën që të bashkohen kundër Shteteve të Bashkuara.

“Dorëzimi ndaj Perëndimit, që kryesohet nga Amerika, do të ishte tradhti ndaj fesë tonë”, tha Rohani në një konferencë në Teheran, ku e quajti Izraelin “tumor kanceroz” të krijuar nga shtetet Perëndimore, për të shtyrë përpara interesat e tyre në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara në muajin maj u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore në mes të Teheranit dhe fuqive botërore, duke thënë se Irani nuk e ka respektuar atë.

Uashingtoni në gusht vendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit, të cilat ishin hequr me nënshkrimin e marrëveshjes bërthamore, me të cilën, Irani zotohej se do të frenonte programin bërthamor.

Duke folur para Konferencës për Unitet Islamik, Rogani tha se qeveritë myslimane “kanë zgjedhje, ose t’u shtrojnë tepih të kuq kriminelëve, ose me forcë të qëndrojnë kundër padrejtësisë dhe të kenë besim në Profetin tonë, në Kuranin tonë dhe në islami tonë”.

Presidenti iranian po ashtu duket se bëri një referencë ndaj Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera myslimane që kanë lidhje të ngushta me Uashingtonin.

Rohani i sigurojë sauditët se ata janë “vëllezër” dhe nuk duhet të frikësohen nga Teherani.

“Ne jemi të gatshëm të mbrojnë popullin saudit kundër terrorizmit, agresionit dhe superfuqive”, tha ai.

Irani dhe Arabia Saudite janë rivalë rajonal dhe mbështesin palë të kundërta në konfliktet në Siri dhe Jemen. Po ashtu këto dy shtete përkrahin fraksione të ndryshme politike në Liban. Teherani po ashtu mbështetë grupe militante në Lindjen e Mesme si Hezbollahun dhe Hamasin.

Riadi ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teherani rreth tre vjet më parë, pasi protestuesit kishin hyrë në zyret diplomatike në Iran, pas ekzekutimit të një kleriku të njohur shiit.