Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, nuk pati mundësi ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare për pjesën më të madhe të këtij viti, pasi që një lëndim që e kishte marrë gjatë Kampionatit Botëror 2017 në Budapest kishte bërë që ajo të detyrohej t’i bënte plot 14 muaj pauzë.
Fituesja e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike Rio 2016, e bëri rikthimin e saj në Grand Slamin e xhudos Abu Dhabi, të Emirateve të Bashkuara Arabe, që u mbajt prej 27 – 29 tetor, shkruan Gazeta Express.

Në ndeshjen e saj të parë pas këtij lëndimi, Kelmendi e kishte mposhtur xhudistin ruse, Yulia Kazarina në rundin e parë të Grand Slamit të xhudos në Abu Dhabi. Ajo u kualifikua deri në finale, mirëpo në fund u dorëzua si pasojë e lëndimit të marrë në çerekfinale në hundë.

“Majlinda Kelmendi u rikthye nga lëndimi pas 14 muajve. U lëndua në luftën çerekfinale dhe në finale gjakderdhja e tepërt e detyroi mjekun ta ndërpresë luftën, vendim të cilin e përkraha edhe unë. Lëndimi s’është serioz, përveç gjakderdhjes që s’lejoi të vazhdohet finalja”, kishte lajmëruar menjëherë trajneri i saj, Driton Kuka.

Kthimin nga ky lëndim i vogël, Kelmendi e bëri më 9 nëntor të këtij të viti. Ajo në finale u përballë me Evelyne Tschopp të cilën e mundi me ippon, duke ia siguruar Kosovës kështu një medalje të artë në garën Grand Prix në Uzbekistan.

Përderisa kthimi në garat e xhudos dhe triumfi në Uzbekistan sollën shumë lumturi për lumturi, në një intervistë për Komitetin Ndërkombëtar të Xhudos, Kelmendi kishte treguar se gjatë kohës kur ishte e lënduar, ajo nuk mund të gjente asgjë që mund ta bënte të lumtur, shkruan Gazeta Express.

“14 muajt e fundit ishin shumë të vështirë për mua sepse unë nuk kisha mundësi të garoja në xhudo. Mua më pëlqen shumë të luftoj dhe më pëlqen shumë të ushtroj dhe unë bëja gjëra të tjera për të tentuar të harroj se nuk mund ta bëj atë që dua dhe atë që më bën të lumtur”, ka thënë Majlinda.

“Por, të jem e sinqertë, nganjëherë nuk funksiononte edhe aq mirë. Mendova se nëse do të udhëtoja, kjo do të më bënte më të lumtur. Por, unë e provova këtë kur nuk mund të bëja xhudo, por nuk më ndihmoi shumë”.

“Kur dal të bëj pazar, ndihem e lumtur. Mirëpo, në atë kohë, as kjo nuk funksiononte. Asgjë nuk funksiononte, asgjë nuk më bënte të lumtur. Unë planifikoja të kthehem në Budapest, por trajneri më tha se është më mirë nëse e merr shtruar”.

“Si person, unë i bëj vetes shumë presion, veçanërisht kur bëhet fjalë për xhudo. Unë tentova të marrë pjesë edhe në Kampionatin Botëror, por trajneri im ishte shumë kundër kësaj ideje dhe më tha se është më mirë nëse fillon në tetor”.

“Jam e lumtur që e fillova mirë. Nuk është e lehtë të kthehesh, nuk është e lehtë kur je heroinë në vendin tënd. Kur unë garoj diku, të gjithë në Kosovë thonë: ‘Ajo do ta marrë të artën’. Ajo që nuk më pëlqen është se kur e fitoj medaljen e argjendtë ose të bronztë, askush nuk ma uron”.

“Por, kështu është xhudo. Nganjëherë fiton dhe nganjëherë jo. Por, jo kur unë e marrë medaljen e argjendtë ose të bronztë, askush nuk ma uron. Nuk e di, mendoj se njerëzit janë mësuar që unë të fitoj medalje të arta dhe kjo po krijon më shumë presion mbi mua tani”.

“U ndjeva shumë e lumtur dje sepse kam qenë në një periudhe shumë të vështirë gjatë këtyre 14 muajve të fundit, veçanërisht në aspektin mendor sepse pothuajse për tre muaj, gjithçka që mund të bëja ishte të ecja për 10 minuta brenda ditës dhe me kaq përfundonte”.

“Dhe kur mendoj për atë kohë dhe pastaj kur mendoj për dje, kur e fitova medaljen e artë, mund të them se isha aq e lumtur sa që ishte e ngjashme me ndjenjat që i kisha në Lojërat Olimpike në Rio. Medalja e artë më bën të ndihem se jam kthyer përsëri në jetë”.