Kanë rinisur punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë – Podujevë, raporton Llapi.info.

Zgjerimi i kësaj rruge kishte nisur para rreth 5 viteve, mirëpo të njëjtat kanë qenë të zvarritura. Rifillimin e këtyre punimeve e ka bërë të ditur në një postim në Facebook, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Jam shumë i lumtur që kanë filluar punimet në magjistralen Podujevë-Prishtinë, sot në segmentin e ri të rrugës vërehej dinamikë e shtuar e punës. Gjatë takimeve që kam zhvilluar me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, temë kyqe e bisedave dhe kërkesë kryesore e imja ka qenë rifillimi i punimeve dhe vëmendje e shtuar nga ana e Qeverisë për këtë magjistrale që është tepër e nevojshme për qytetarët llapjanë dhe jo vetëm. Gjatë javës së ardhshme do të dalë në terren bashkë me drejtorin e Urbanizmit dhe inxhinierët e rrugëve për të parë nga afër lëshimet që janë bërë në këtë magjistrale dhe do t’i dërgojmë një shkresë Ministrisë së Infrastrukturës vërejtjet tona me qëllim që të sanohen lëshimet që kanë ndodhur”, ka shkruar ai.

Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë kanië nisur për më shumë se pesë vjet. Për këtë janë ankuar qytetarë të shumtë, të cilët frekuentojnë këtë rrugë që lidh Llapin me kryeqytetin e Kosovës.

Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016, kur ministër i Infrastrukturës në ato kohë ka qenë Lutfi Zharku. Por, edhe pas ndërrimit të pushteteve, MI është akuzuar se ka mungesë të planit të për ndërtimin e kësaj rruge, pasi në të, përveç tjerave, mungojnë vend-stacionet për autobusë e shiritat ndihmës. Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për dinamikën e ulët të punimeve për këto vite vazhdimisht kanë fajësuar banorët për shpronësime.

Si pasojë e dinamikës dhe lënies së punëve në gjysmë, kjo rrugë, shpesheherë ka qenë e rrezikshme për vozitësit, ndërkohë që edhe numri i aksidenteve fatale për këto vite ka qenë i madh./Llapi.info