Këshilla dhe kritika kanë dy ish zyrtarë të lartë të Administratës së ish Presidentit, Donald Trump në adresë të shefit të ri të shtetit në Washington, Joe Biden.
John Bolton që kishte pozitën e këshilltarit për siguri nacionale te Trump thotë se i pari i Amerikës duhet ta marrë lidershipin në rregullimin e situatës në Ballkanin Perëndimor ku çështja kyçe është normalizimi i marrëdhënieve të tensionuara Kosovë-Serbi, njofton Klan Kosova.
“Nëse Biden i delegon përgjegjësitë për këtë çështje dhe për Ballkanin Perëndimor tek Bashkimi Evropian, ky do të jetë një gabim i madh. Me respektin më të madh për angazhimin e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, por Amerika kësaj radhe duhet të kryejë punë dhe të sjellë paqen e stabilitetin në rajon”, është shprehur Bolton.
E ish emisari për dialog, republikani Richard Grenell, ka kritikuar ashpër demokratët duke thënë se personat që u vendosën në krye të politikës së jashtme nisur nga sekretari, Antony Blinken janë të konsumuar.
“Shembulli perfekt është çështja mes Kosovës e Serbisë. Kur unë u bëra i dërguar i posaçëm i gjithë estabilishmenti më tha se ekipi im duhet të përbëhet me njerëz që kanë punuar në këtë çështje për njëzet vjet. Unë thashë, njerëz duhet të sjellim ide të reja sepse këta të së kaluarës kanë dështuar. Por kjo qasje e imja nuk shkon në Washington, ata e urrejnë këtë” deklaroi Grenell, gjatë një interviste për televizionin amerikan NewsMax.
Ndryshe Ballkani Perëndimor u vendos në mesin e gjashtë prioriteteve të politikës së jashtme Evropë-Amerikë. Kjo erdhi pas një bisede mes Presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.
Pesë prioritetet tjera janë Rusia, Kina, Irani, Ukrania dhe Afganistani.






