Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta në zgjedhjet e fundit nacionale, raporton Gazeta Blic.

Por ky rezultat duket se ka ndryshuar me ardhjen në krye të kësaj partie të Lumit Abdixhikut.

Mbi 12% sa ishte në 14 shkurt të vitit 2021, në sondazhin e fundit ka patur rritje në 22.3%, duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës.Por cilët janë faktorët që kanë ndikuar në një rritje të tillë?

Njohësi i çështjeve politike në vend, Gazmir Rraci, tha për “Gazeta Blic” se reformimi në parti është një nga faktorët që ka bërë që të rikthehet votuesi tradicional.“Natyrisht fitorja e LVV-së, vetdijësoi Lidhjen Demokratike të Kosovës po ashtu edhe Partinë Demokratike që ishte momenti i fundit për t’u kthyer tek elektorati i tyre tradicional, por edhe tek reformimi i teresishem i partive në mënyrë që t’u pergjigjen nevojave dhe kërkesave të votuesve të vet. Unë konsideroj se në këto rrethana lufta po bëhet për vendin e dytë edhe është një luftë speciale mes LDK-së dhe PDK-së se kush është në vendin e dytë”

“Në bazë të rezultatit të fundit të zgjedhjeve parlamentare PDK-ja është e dyta por natyrisht edhe sondazhet e kanë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Me rëndësi është se këto dy parti i janë rikthyer elektoratit të tyre tradicional, i janë kthye votuesve të vet por janë rikthye edhe me reforma të thella që besoj do t’u pergjigjen votuesve potenciale të tyre në zgjedhjet e ardhshme. Trendi i besueshmërisë po rritet tek LDK-ja sepse vete antarsia e LDK-së po i kthehet shtratit të vet, po i kthehet familjes poliitke” tha Rraci për “Gazeta Blic”.

Ndërsa ish-deputeti i kësaj partie, Fatmir Rexhepi, tha se LDK-ja, u dënua për shkak se elektorati ishte i zhgënjyer me vendimet e udhëheqjes së saj politike.

Rexhepi u shpreh optimist se shumë shpejt LDK-ja do të shkojë në 30%.“Dallimi i LDK-së tani, me zgjdhjet e fundit dallon shumë, atëherë ishte një situatë krejt tjetër ku elektorati ishte i zhgënjyer për shkak të disa vendimeve politike të udhëheqjes politike. Me vullnetin e vet e dënoi udhëheqjen politike ndërsa tani me lidershipin e ri me profesorin Lumir por edhe me rrethanat që kanë ndryshu besoj se elektorati vetem kthehet në shtratin e vet, e lexon prespektivën e LDK-së ndryshe dhe gradualisht do jetë në ngritje e sipër. Unë pres që brenda një viti, deri në pranverën e ardhshme të shkojë deri në 30 % ose më shumë. Besoj se elektorati do t’i kthehet LDK-së nëse zoti Abdichiku me udhëheqjen ofron besueshmëri në program, projekte në të gjitha reformat që i duhen të nesërmes vendit tonë” tha Rexhepi për “Gazeta Blic”.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiju, tha për “Gazeta Blic” se elektorati ishte i zhgënjyer me Isa Mustafën dhe votoi Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin.Spahiu theksoi se në momentin që ky elektorat ka qenë i zhgënjyer me qeverisjen e Vetëvedosjes i është kthyer LDK-së.

“Elektorati i LDK-së i zhgënjyer me Isa Mustafën ka votuar për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin. Në momentin që ky elektorat ka qenë i zhgënjyer me qeverisjen e Vetëvedosjes i është kthyer LDK-së .Secili kryetar përpiqet ti mbledhë njerzit më të besuar rreth vetes edhe këtë e ka bërë edhe Abdixhiku, megjithëse une kam prit që të ketë edhe më shumë prurje se këto që i ka patur deri tani” deklaroi ai.