Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime dhe pengesa në qarkullim në disa lokalitete të Komunës së Podujevës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Uji ka vërshuar toka bujqësore dhe rrugë në fshatin Bellopojë, Lupç i Poshtëm, Batllavë, Dumnicë, Penuhë dhe në disa fshatra të tjera.
Përveç daljes nga shtrati kryesisht të përroskave, vërshime janë shkaktuar dhe nga mbyllja e kanaleve të ujërave atmosferike, probleme kanë shkaktuar edhe ujërat sipërfaqësore nga reshjet e shumta.
Për të parë nga afër gjendjen e krijuar dhe dëmet e shkaktuara në pronat bujqësore, zonat e goditura nga vërshimet i ka vizituar Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.
Ndërsa, ekipi i sektorit për Emergjencë i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës me kompaninë e angazhuar është vazhdimisht në teren duke intervenuar në sanimin e gjendjes.
Dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, bujqësi dhe ekonomi familjare do të vlerësohen nga komisioni i Komunës./Llapi.info