Dy vjet më parë, Arbër Zeneli bëri një hap para në karrierë. Nga skuadra suedeze Elfsborg u transferua tek ajo holandeze Heerenveen. I doli lëvizje e qëlluar.
Futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin 2018 është pranë ngritjes së radhës në karrierë.
Interesim për ta transferuar gjatë muajit të ardhshëm, për 23-vjeçarin kanë shprehur Fiorentina, Napoli, Fenerbahçe, Ajaxi, PSV-ja dhe Feyenoordi.
Por Zeneli nuk është i vetmi që mund të lëvizë gjatë janarit. Ngritje në karrierë mund të bëjnë edhe reprezentuesit e tjerë të Kosovës, Vedat Muriqi, Herolind Shala dhe Fidan Aliti me kalim te skuadrat e tjera.
“Ambiciet e mia janë të mëdha dhe unë do të provoj të arrij të luaj në ndonjë kampionat më të madh. Të shohim se si do të shkojnë gjërat. Kam disa oferta, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Zeneli.
Zeneli në 16 paraqitje në elitën e futbollit të Holandës ka shënuar tre gola dhe ka kontribuar me dhjetë asistime. Ai është golashënuesi më i mirë i Kosovës me gjashtë gola.