Ndikimi politik dhe mungesa e sigurisë së gazetarëve kanë ndikuar që Kosova të jetë në mesin e vendeve me probleme në renditjen e lirisë së shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”.

Duke ju referuar mediave, thuhet se ato vuajnë nga ndikimet direkte dhe indirekte politike, presioni financiar dhe varësia nga pronarët.

“Reporterët pa Kufij”, në veçanti përmendin rastin kur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj erdhi në pushtet duke marrë drejtim e qeverisë dhe ku ai i quajti të pashkolluar gazetarët.

“Pak ditë pasi kishte krijuar Qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë dhe i këshilloi ata që t’i kthehen shkollës”, thuhet në pjesën që përshkruan veprimin e kryeministrit.

Megjithatë kur i referohen qeverisë së tanishme “Reporterët pa kufij”, thonë se ka treguar vullnet më të madh për të bashkëpunuar me gazetarët.

Por, gazetari Besnik Krasniqi, thotë se qeveria e tashme nuk dallon nga qeveritë tjera.

“Qeveria Haradinaj i ka kopjuar praktikat e këqija të qeverive të kaluara për sa i përket komunikimit, për shembull kjo na e ka kufizuar në masë të madhe qasjen në dokumente publike. Në përgjithësi është ky ambient, si pasojë e një përcaktimi të klasës politike të të gjitha qeverive që në një farë forme t’i ngufas sa më shumë mediat”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Mes tjerash, “Reporterët pa Kufij”, përmendin edhe sulmet ndaj gazetarëve për të cilët thuhet se u sulmuan pasi kishin bërë raportime kritikuese për qeverinë dhe aleatët e tyre si dhe përmenden edhe linçimet ndaj mediave dhe gazetarëve.

Petrit Çollaku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, thotë se është evidente një fushatë linçuese e cila herë vjen nga grupet e interesit e herë nga zyrtarët publik.

“Telashet e mëdha vazhdojnë, kushtet e dobëta në punë, mosndëshkueshmëria, sistemi i drejtësisë dhe sigurisë kanë filluar të merren me disa raste, por me disa raste të tjera të cilat janë pak më të komplikuara ku janë persona të njohur, figura publike apo zyrtarë shtetëror nuk merret asnjë, askush”, ka thënë Çollaku.

“Reporterët pa Kufij” gjithashtu raportojnë për ndasi etnike në media. Kosova renditet në vendin 78-të në listën e “Reporterëve pa kufij” dhe renditet katër vende më lartë sesa vitin e kaluar.