Situata në Veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa serbët atje kanë bllokuar rrugët në Bërnjak dhe Jarinje.

Në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska, raporton REL.

Nërkohë pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë bllokuar rrugët në Bërnjak dhe Jarinje dhe ka kërkuar nga qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.

Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë, po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.