Lokale - eSIMy

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Naim Fetahu e ka uruar kandidatin e VV-së, Shpejtim Bulliqi, për triumfin e shënuar dje në zgjedhjet për kryetar të Podujevës, raporton Llapi.info.

Fetahu, përmes një postimi në Facebook është shprehur mirënjohës ndaj qytetarëve të Podujevës, ndërkohë që ka këshilluar kryetarin e ri të komunës që t’i marrë urgjentisht parasysh kërkesat dhe hallet e qytetarëve llapjanë.

“E filluam fushatën në muajin Mars dhe e përfunduam këtë të Diel.Përgjatë kësaj kohe, edhe pse në situatë të rënduar nga pandemia COVID-19, unë isha në kontakt të vazhdueshëm me ju, në takime dhe bashkëbisedime të shumta. U jam shumë mirënjohës dhe shpreh falënderimet më të përzemërta për ju që më dhatë rastin të shpalosë ofertën time për Podujevën, ofertë e cila besoj që ishte zgjidhja e një krize të kahmotshme e cila e ka kapluar qytetin tonë, por që ajo nuk e mori mbështetjen e nevojshme. E uroj z. Shpejtim Bulliqi dhe i dëshiroj punë të mbarë. Kërkoj që ti marrë urgjentisht parasysh kërkesat dhe hallet e qytetareve te Podujevës, sepse ata e meritojnë një jetë më të mirë. Unë nuk do të ndalem por do të mbes i përkushtuar për punë në të mirë të qytetarit dhe vendit. Duke ju falënderuar përzemërsisht secilin nga ju që më ndihmuat në ketë kohë të vështirë për vendin, ju them se u jam mirënjohës përgjithmonë”, ka shkruar Fetahu.

VV ia mori bastionin e madh të LDK-së, Podujevën. Shpejtim Bulliqi fitoi mbrëmë me 51,64% të votave në Podujevë, derisa kandidati i LDK-së mori 35,97% të votave./Llapi.info