Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje me incidentet që po ndodhin nëpër degët e kësaj partie.

Incidenti i fundit që u raportua të ketë ndodhur në ndonjë degë të kësaj partie është ai i Degës së Parë në Vranjevc të Prishtinës.

Por, Mustafa, fillimisht “kapet” me mediat që po raportojnë për këto ngjarje, duke thënë se “është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme”, e më pas merret edhe me “disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së”.

Më tej, kreu i LDK-së akuzon se këto “lajme” po prodhohen edhe nga njerëz të partive tjera.

“Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallallëqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së”, thotë Mustafa.

“Të gjithë duhet ta dinë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statutin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë, nuk do të pranohet”, deklaroi Mustafa, ndërsa tha se si Kryetar i LDK-së “do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen”.

Ai tha se për rregullsinë e procesit zgjedhor, vendimtare janë dispozitat e Statutit të LDK-së dhe Platforma zgjedhore, “e jo konstatimet nga debatet e atyre që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në”.