Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas votimit të buxhetit për vitin 2021 nga Kuvendi i Kosovës, raporton Llapi.info.

Në një reagim të bërë në Facebook, i pari i Podujevës ka thënë se Spitali i Përgjithshëm i kësaj komune, sipas tij, s’është përfshirë në këtë buxhet.

“Buxheti i vitit 2021, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës para pak minutash nuk ka paraparë ndarje buxhetore për Spitalin e Përgjithshëm të Podujevës. Ai projekti që paraqitej me pompozitet në fushatën zgjedhore në Llap nuk është askund. Ata që bënë zhurma mediatike për ndërtimin dhe funksionalizimin e Spitalit të Qytetit, që e kishin premtuar disa herë po dëshmohet se ka qenë gënjeshtër dhe mashtrim për qytetarët. Ai projekt është përdorur në funksion të fushatave elektorale e për qëllime të ulëta politike. Sot, ky projekt nuk është amandamentuar për buxhetin e vitit 2021 nga Qeveria Hoti, e kështu komunën tonë vazhdon ta lërë pa Spital të Përgjithshëm”, ka shkruar ai.

Ndryshe, deri më tani nga qeverisja e kaluar është përuruar disa herë ky spital, për çka akuzoheshin nga partitë opozitare./Llapi.info