Ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tash deputet i LDK-së, ka reaguar pas shkarkimit dhe dorëheqjeve në ekzekutivin komunal, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Veliu thotë se pas akuzave të ish-drejtorit të Inspektoratit për ndërtimet pa leje në Liqenin e Batllavës, sipas tij, do të duhej të merrej Prokuroria.
Shkrimi i tij i plotë:
Modeli i keqqeverisjes në nivel qendror po bartet edhe në nivelin lokal. Dorëheqjet dhe shkarkimet që po ndodhin në ekzekutivin komunal të Podujevës janë pasqyrë e qeverisjes abuzive dhe korruptive nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas akuzave të drejtorit të shkarkuar të Inspeksionit ndaj kryetarit të Komunës, për lejimin e ndërtimeve ilegale në qytet dhe në zonën e Liqenit të Batllavës, do të duhej të intervenonte prokuroria.
Ndërhyrja e organeve të drejtësisë është e domosdoshme për ndërprerjen e qeverisjes korruptive, por edhe diskriminuese brenda administratës komunale. Qytetarët e Llapit nuk do të lejojnë që praktikantët e LVV-së të degradojnë e rrënojnë atë që është ndërtuar për 20 vite me taksat e tyre./Llapi.info