Kryeministri Ramush Haradinaj nuk e di pse është anuluar takimi i paraparë Kosovë-Serbi në Paris më 1 korrik. Ndërkohë ka pasur reagime të ashpra për takimin e fshehtë me këshilltarët e Presidentit Vuçiq në Berlin.

Anulimi tashmë i konfirmuar i takimit të Parisit, ku do të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi dhe një takim në Berlin i këshilltarëve të kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, që në Prishtinë u interpretua takim i “fshehtë”, ka ngjallur reagime të shumta në strukturat politike kosovare.

Kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se ai nuk ka informacione pse është anuluar takimi i Parisit.

“Arsyeja pse është shtyrë takimi i Parisit nuk i di. Por, një gjë mund të ju konfirmojë se Kosova është palë serioze. Dialogu e ndihmon atmosferën politike, por nuk është kusht për liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj, i cili vazhdon të këmbëngulë që taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet.

E presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, anulimin e takimit të Parisit e ndërlidh pikërisht me refuzimin e Prishtinës që ta heq taksën ndaj Serbisë.

“Nuk do të ketë takim në Paris. Gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato”, u shpreh nga Bjellorusia ku po qëndron Vuçiq.

Ndërsa qeveria gjermane dhe presidenca franceze konfirmonin anulimin e takimit të Parisit, në Prishtinë mediet njoftuan për një takim “të fshehtë”, në Berlin, të këshilltarëve të kryeministrit Haradinaj me këshilltarët e Presidentit serb Vuçiq. Më vonë ky takim u konfirmua nga Haradinaj dhe Vuçiq, por, kjo ngjalli reagime të ashpra në Prishtinë.

Pse u zhvillua takimi Arifi-Gjuriq?

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se takimi në Berlin (që u zhvillua ndërmjet Avni Arifit ish-udhëheqës i dialogut teknik dhe Marko Gjuriqit shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë) ka qenë formal jo publik.

“Mendoj që është mirë që po qartësohet se çka ka mbet pa u zgjedh. Ballafaqimi i delegacionit teknik ka konfirmuar se e vetmja çështje pa u zgjidh është njohja. Është sqaruar shumë mirë se çka mundet me pas zgjidhje. Takimi ishte formal, jo publik. Delegacionit e dy palëve janë taku. Nikoqirë ka qenë Zyra e Kancelares gjermane. Partnerët e koalicionit kanë qenë paraprakisht të njoftuar. Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk ka qenë fare pjesë e bisedave”, tha Haradinaj.

Kritika nga presidenca kosovare

Por zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në një njoftim për medie tha se takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë -Serbi.

“Zyra e Presidentit nuk ka qenë e informuar për pjesëmarrjen e një ekipi të kryeministrit në takimin e fshehtë në Berlin dhe po ashtu nuk kemi marrë ende asnjë informacion zyrtar se çfarë është biseduar në këtë takim. Takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, aq më parë kur tashmë kemi Ekipin Negociator, i cili ka për detyrë negocimin e çfarëdo teme me Serbinë”, thuhet në një reagim të zyrës së Presidentit Thaçi
Reagime nga opozita

Reagime pati edhe nga dy partitë politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK dhe Vetëvendosja.

Për LDK, takimi i fshehtë i përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin, “është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm”.

“Dialogu nuk ka arsye të fshihet, pa marrë parasysh nivelin e tij dhe çështjeve që diskutohen në dialog. Gabojnë edhe shtetet e BE-së në qoftë se kultivojnë një praktikë të tillë, sepse e bëjnë procesin e dialogut të pabesueshëm për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Veprime të tilla vënë në dyshim transparencën që mund të pret Kosova nga dialogu, kur jo vetëm që qytetarët e saj nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e takimit të djeshëm, por edhe vet takimi është mbajtur fshehurazi”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti thotë se, ”për takime të fshehta, është përmendur më parë Presidenti i vendit, ndërsa tani po dëshmohet se në të njëjtën rrugë është edhe Qeveria e Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së, e cila kërkon që “Dialogu Kosovë-Serbi të zhvillohet me mbështetje të domosdoshme të SHBA-ve dhe me ndërmjetësim të Komisionit të ardhshëm të BE-së”.

Edhe partia tjetër opozitare Vetëvendosja, thotë se “Takimi i fshehtë Arifi – Gjuriq, është vazhdim i avazit antikombëtar.

“Haradinaj, është ai, i cili fillimisht sapo u bë kryeministër, në mënyrë antikushtetuese ia la dialogun Thaçit. Kësisoj ai ia hapi rrugën projektit antikombëtar, atij të copëtimit të Kosovës. E tash, kur projektin e copëtimit të Kosovës e ndalëm, përmes protestave masive si dhe duke e diskredituar ndërkombëtarisht, kryeministri dërgon këshilltarin e tij në takime të fshehta. Ky kryeministër, i cili nuk pranoi të marrë haptazi përgjegjësitë e tij duke ndalur rrezikun që po sillte Thaçi, tash, po shkon fshehurazi për të ringjallur projekte të marra fund, siç ishte “Zajednica” bashkësia e komunave me shumicë serbe”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

E i fundit që reagoi ishte, njëri nga bashkëkryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti, i cili tha se “Takimi i mbajtur në Berlin në mes të Avni Arifit dhe Marko Gjuriqit është shumë i dëmshëm për zhvillimet politike në Kosovë e në dialogun me Serbinë.

“Takimet e tilla të fshehta bien ndesh me të gjitha parimet fundamentale që përfaqëson delegacioni: pra është takim jotransparent, larg syve të deputetëve e publikut, pa kurrfarë legjitimiteti”, u shpreh Shpend Ahmeti.

Ai rikujton që muaj më parë Kuvendi i Kosovës ka miratuar Platformën shtetërore për Dialogun e cila qartëson parimet udhërrëfyese të Kosovës në dialog.

“Aty thuhet nuk ka dialog teknik e politik, e aq më pak vazhdimësi e atij lloj dialogu që e kemi pasur deri tash. Kështu që ky takim dhe temat eventuale që qenkan diskutuar në të, janë në kundërshtim të plotë me parimet udhërrëfyese të Platformës”, thotë në reagimin e tij njëri nga bashkëkryesuesit e delegacionit shtetërorë të dialogut Kosovë-Serbi, Shpend Ahmeti. /dw/