Reagim me shkas
I nderuari Zahir, vëlla dhe Komandant, të kërkoj ndjesë.
Kam obligim moral dhe kombëtar ta mbroj të vërtetën.
Edhe kësaj ditëlindjeje nuk isha fizikisht pranë teje.
Ashtu si edhe herëve të tjera.
Nuk është mungesë vullneti — është dhimbje, është revoltë.
Nuk po gjej forcë të përballoj disa fytyra që sot vetëquhen “bashkëluftëtarë”, ndërsa dje nuk gjenin guxim as të të përshëndesnin.
Sot shoh njerëz që zgerdhihen, dalin para shoqërisë me gjoks të fryrë e me fjalë të mëdha, duke tentuar të përvetësojnë lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po përpiqen të rishkruajnë historinë e shenjtë të luftës sonë.
Po përpiqen ta veshin veten me nderin që nuk e kanë fituar.
Kur Kosovës i duhej pushka, guximi, sakrifica — ti kishe pak shokë.
Kur liria kërkonte gjak, jo lule e livadhe — ishim shumë pak.
Pak në numër, por me zemër e me besë të madhe.
Ti i di mirë kush qëndroi pranë teje. Unë i di.
Ne i dimë. Ishim pak, Komandant.
Armët e pakta i ruanim si sytë e ballit,
siç ruanim njëri-tjetrin.
Por sot, Zahir, pas rënies sate në pavdekësi, u shtuan “bashkëluftëtarët”.
Dolën me qindra.
Dolën edhe ata që e ulën kokën kur ti ecje rrugës.
Dolën edhe ata që dyshonin në veprimtarinë tënde.
Dolën edhe ata që s’kishin guxim të të pinin një kafe, e lëre më të dilnin në luftë krah teje.
Sot ata flasin me gojë plot “UÇK”,
ndërsa ne që ishim aty — ne të vërtetët —
duhet të heshtim në rresht të dhjetë,
pas rreshtave të mbushur me sahanlëpirës e përvetësues të lavdisë.
Çfarë turpi!
Çfarë fyerje për gjakun e dëshmorëve!
Po të ishte gjallë Hakifi, do të qeshte me përbuzje:
“Edhe ky qenka bashkëluftëtar? Eh… fishekë pak kemi!”
Edhe Ilirit do t’i shndriste buza me atë buzëqeshjen e tij të përmallshme.
Zahir, të kërkoj falje që nuk qëndrova pranë teje sot.
Nuk po më lënë t’i afrohem amanetit tënd, sepse e kanë zënë vendin ata që nuk e meritojnë.
Por nesër, Komandant, do të vij vetëm.
Do të flasim si dikur.
Do të të tregoj shumë gjëra — ato që nuk duan t’i dëgjojnë të vërtetët.
Mos ua trego Ilirit e Hakifit, se do të mërziten.
Me mall, me respekt dhe me besë,
Bekrija






