Të ftuar për të dëshmuar në gjykimin për korrupsion ndaj 44 mjekëve të përfshirë në rastin “Stenta 2”, dëshmitarët Shefqet Bajrami dhe Zeqir Krasniqi, të hënën kanë dhënë dëshmitë e tyre, lidhur me mënyrën se si ishin trajtuar nga mjekët dhe se si ishin udhëzuar pastaj për mjekim nga spitalet publike, në ato private.
Dëshmitari Shefqet Bajrami, që në këtë rast e ka edhe cilësinë e të dëmtuarit, në dëshminë e tij të dhënë të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se në vitet 2013-14 kishte qenë i sëmurë, me ç ‘rast mjeku Masar Gashi, i akuzuar në këtë rast, e kishte drejtuar për në emergjencën e Qendrës Klinike, Universitare të Kosovës (QKUK).
Pasi që kishte shkuar në QKUK, Bajrami tha se në kohën kur ishte duke i bërë kontrollet, një doktor tjetër që kishte qenë aty, u ishte drejtuar djemve të tij me fjalët “qysh po e leni babën me dek për pare, hiqeni prej ktuhit qoni në privat se është tu i ardh një infarkt në zemër”.
Fillimisht, dëshmitari Bajrami tha se nuk i kujtohet se kush kishte qenë ky mjek, mirëpo, pasi që i akuzuari Nexhmi Zeqiri, e pyeti dëshmitarin nëse e njeh atë, Bajrami tha se e ka parë mjekun Zeqiri, ndërsa djemtë e tij, siç tha Bajrami, i kishin thënë se kishte qenë pikërisht i akuzuari Zeqiri, i cili u ishte drejtuar me fjalët që babanë e tyre ta dërgonin në privat.
E lidhur me këtë reagoi i akuzuari Zeqiri, i cili tha se dëshmitari po bien në kundërshtim me veten e tij, pasi që pak më parë tha se nuk e njeh asnjë mjek në sallë të gjykimit, duke e quajtur dëshminë e dëshmitarit si të rrejshme, shkruan ‘Betimi për Drejtësi’.
Tutje, në dëshminë e tij, Bajrami tha se pasi që në QKUK i ishte thënë të shkojë në spital privat, djemtë e tij kishin shkuar në disa spitale private dhe në fund, për shkak të çmimit më të lirë ishin përcaktuar që operimin ta bëjnë në spitalin “EDA”, për shkak të çmimit më të lirë.
Siç tha dëshmitari, në spitalin “EDA”, i ishin kërkuar 4000 euro për të vendosur një stendë.
“Mas ni kohe ka ardh në spital një ndihmë e shpejtë dhe më ka marr më ka qu në spitalin “EDA”. Aty ka ardh një motër dhe më ka dhënë 15 kokrra dhe më tha pijë ndaq krejt menjëherë ndaq njo ka njo. Mas 10-15 minutave më kanë fut në operacion”, deklaroi Bajrami.
Pasi që kishte hyrë në sallën e operimeve, dëshmitari tha se kishte qenë i vetëdijshëm pasi nuk kishte marr anestezion, ndërsa ende pa përfunduar operimi, dëshmitari tha se njëri mjek për të cilën tha se nuk e din se kush është, kishte dal nga salla dhe djemve të tij u kishte thënë se duhet të paguajnë edhe 2000 euro për një stendë tjetër.
“E kanë vendos një stendë, pastaj një doktor ka dal jashtë dhe ka lyp nga familjarët e mi ende pare. Ka qenë në fillim 4000 euro pastaj mjeku, që emrin nuk ja di, ka dal ka lyp pare edhe 2000 euro, kurse doktori Zivko Petrovski ka nejt në sallë. Familja nuk i ka pasur 2000 euro dhe i kemi dhënë 1000 euro dhe pastaj doktori ka hy brenda dhe kanë vazhdu vendosjen e një tjetër stende”, tha në dëshminë e tij, dëshmitari Bajrami.
Pas operimit, dëshmitari tha se kishte shkuar në dy kontrolle ku i ishte thënë se gjendja e tij është e mirë, kurse në kontrollin e tretë gjendja i ishte keqësuar.
Pas këtij keqësimi, dëshmitari tha se doktori Zivko Petrovski i kishte thënë se i ishte mbyll një tjetër arterie dhe i kishte thënë të shtrihet në spital, por dëshmitari tha se nuk kishte pranuar dhe kishte shkuar në Tiranë.
Kur kishte shkuar në Tiranë, dëshmitari tha se fillimisht ishte kontrolluar në spitalin “Nënë Terëza”, kurse koronarografinë e kishte bërë në spitalin “Hygiea”.
“Atje më kanë thënë se duhet mu bo operacion se dy stendat janë mbyll, kur i kom pyet pse, atë më kanë thënë se njëra stendë e mirë, kurse tjetra e keqe dhe kjo e keqja e ka prishur edhe atë stendën e mirë”, tha dëshmitari.
Pasi që ishte kthyer nga Tirana, ku kishte vendosur një “bypass”, dëshmitari tha se përmes mediave kishte dëgjuar thirrjen e prokurorit Besim Kelmendi që të lajmërohen në prokurori kushdo që kishte pasur probleme me spitalet private dhe për këtë arsye kishte shkuar në prokurori për të dhënë deklaratë.
Prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli, e pyeti dëshmitarin se a i ishte bërë ndonjë kontroll në spitalin “EDA”, para se të bënte operimin, mirëpo, dëshmitari tha se përveç disa tabletave që i ishin dhënë kontrolle tjera nuk i ishin bërë.
“Ti konkretisht me kon ki bisedu para operacionit”, ishte pyetja e radhës e prokurores, me dëshmitarin që u përgjigj se kishin qenë djemtë e tij që ishin marr vesh lidhur me çmimin e operacionin me spitalin privat.
Dëshmitari Bajrami mohoi se ndonjë nga mjekët e akuzuar i kishte kërkuar para, kur për një gjë të tillë u pyet nga i akuzuari Besim Guda.
Në fund të dëshmisë së tij, Bajrami tha se e ndjen vetën të dëmtuar.
“E ndjej vetën të dëmtuar shumë sepse për 8 muaj sa kanë zgjat stendat, 5 mijë euro si kisha dhanë, u deshtë me më kallëzu që tu mshelen stendat. Parashtrojë edhe kërkesë pasurore juridike”, tha Bajrami.
E një histori të ngjashme me dëshmitarin Bajrami e dha në dëshminë e tij edhe dëshmitari Zeqir Krasniqi.
Ky i fundit, tha se kishte qenë në vendin e tij të punës si rojtar në ndërrimin e natës kur nuk e kishte ndierë veten mirë, ndërsa të nesërmen kishte shkuar në qendrën e mjekësisë familjare në Komoran për tu kontrolluar, e ku i kishin thënë se kishte një virus për çka edhe i kishin dhënë dy injeksione.
Pasi që nuk e kishte ndierë veten mirë më shëndet, Krasniqi tha se sërish kishte shkuar te mjeku familjar në Drenas, i cili siç tha dëshmitari i kishte thënë se është keq prej zemrës dhe e kishte drejtuar për në emergjencën e QKUK-së.
“Pasi erdha ne emergjence, mjekët më thanë që shumë keq te koke pasi ma bonën EKG. Pastaj më thanë se duhet me shku në privat. Unë i thash qe s’kom pare, i pyeta sa kushton, më thane 5 deri 6 mijë euro”, tha dëshmitari Krasniqi.
E kur u pyet nga prokurorja Shamolli se kush kishte qenë mjeku që i kishte thënë të shkojë në spital privat, dëshmitari tha se kishin qenë 5-6 mjekë që kishin qenë aty, ndërsa me dy prej tyre, siç tha, kishte biseduar.
Lidhur me atë se kush e kishte udhëzuar të shkojë në spital privat, prokurorja Shamolli e ballafaqoi dëshmitarin pastaj me deklaratën që ky i fundit e kishte dhënë në prokurori.
“Kjo që po ua lexojë është deklarata që keni dhënë në prokurori. “Kur kam shkuar në emergjencë në QKUK, dikun rreth orës 1 ose 2, më është drejtuar një mjek i gjatë, me pak flokë, me emrin Nexhmi Zeqiri dhe pasi ma bëri EKG, më tha të shkoj në spital privat dhe në këtë moment e pash dr.Rexhep Manaj të cilin e luta duke i thënë, ti më njeh mua të lutem mos më lër të shkoj në privat se nuk kam para dhe do të vdes këtu ose në shtëpi ndërsa dr.Manaj nuk ka fol, por Nexhmi Zeqiri më tha se “ti për pare pe len a” dhe kur e pyeta sa kushton, më tha “5 deri 6 mijë euro.” A është e vërtetë kjo deklaratë e juaja” e pyeti prokurorja dëshmitarin.
E këtë deklaratë e pohoi se e kishte dhënë edhe dëshmitari, i cili tha se në fillim nuk e kishte njohur doktorin Nexhmi Zeqiri, por pastaj në bazë të raporteve tha se ishte përputhur.
Dëshmitari Krasniqi tha se operimin e kishte bërë në spitalin turk “IMH”, ku i ishin vendosur dy stenda të cilat kishin kushtuar 5800 euro, para të cilat tha se i kishte marr hua.
Prokurorja e pyeti dëshmitarin edhe për bisedat që kishte pasur me doktorin Sami Gjoka, me këtë të fundit që sipas dëshmitarit i kishte thënë se vendosja e dy stendave që i ishte bërë në spital privat, ka mundur t’i bëhet edhe në QKUK.
Pas këtij deklarimi, i akuzuari Gjoka e pyeti dëshmitarin se nga cila kohë e njeh ai të akuzuarin dhe se kur është koha që ishte zhvilluar biseda për të cilën dëshmitari pretendon se i ishte thënë nga mjeku Gjoka se vendosja e stendave ka mundur të bëhet edhe në QKUK.
Lidhur me kohën se kur e njeh të akuzuarin Gjoka, dëshmitari tha se kjo kohë është pas vendosjes së stendave.
“Datën se di veç pas njo kontrolle që e kom pas, pas njo 45 dite që e kam pas në “IMH”, tani pastaj pas njo 3-4 muaj kam shku te Sami Gjoka në kontroll”, tha dëshmitari.
Por, vërejtje në këtë dëshmi të dëshmitarit pati i akuzuari Gjoka, i cili tha se kjo bisedë nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Ndryshe, seanca e së hënës e paraparë të filloi nga ora 9:00, filloi me një orë e gjysmë vonesë pasi që mungoi i akuzuari Murat Abazi.
Ky i fundit, sipas avokatit të tij, Durim Osmani, nuk është mirë me shëndet, por pas komunikimit me avokatin Osmanin, i akuzuari Abazi u paraqit në gjykatë, por gjendja e tij shëndetësore u keqësua.
Për këtë arsye, avokati Osmani kërkoi nga trupi gjykues që të veçoi procedurën për Abazin, kërkesë kjo që nuk u kundërshtua as nga prokurorja Shamolli, e që pastaj u aprovua edhe nga trupi gjykues.
Kërkesë për veçimin e procedurës bëri edhe e akuzuara Perihane Sefa, mirëpo lidhur me këtë kërkesë, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri tha se do të vendos në seancat e radhës.
Ndryshe, për shkaqe shëndetësore, procedura është veçuar në seancat e kaluara edhe për të akuzuarin Ferid Susuri.
Gjykimi do të vazhdojë të mërkurën, më 5 qershor ku pritet që dëshminë e tyre ta japin edhe tre dëshmitarë të tjerë.
Ndryshe, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri dhe 42 të akuzuar të tjerë të përfshirë në rastin “Stenta 2”, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.
Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.
Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.
Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.
Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.
Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.
Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.
Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.