Tre qytetarë nga Komuna e Podujevës janë testuar sot për COVID-19, derisa njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv, raporton Llapi.info.
Ky i fundit po dyshohet të jetë rast kontakti, ndërkohë që i njëjti është punëtor teknik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama. Sipas saj, rasti i ri në këtë komunë është nga fshati Sekiraçë.
“Sot kemi marrë konfirmimin për një rast të ri me COVID-19, i cili është nga fshati Sekiraçë. Dyshohet se është rast kontakti, pasi që sipas informatave që kemi marrë, nga vendi i punës në QKUK. I njëjti është punëtor teknik në këtë institucion. Përveç këtij rasti që ka dalë pozitiv, sot i kemi pasur tri testime nga Podujeva, dy prej tyre kanë rezultuar negativë”, ka thënë Rama.
Epidemiologia Rama ka shtuar se numri i rasteve aktive në këtë komunë ka shkuar në 19, ndërsa siç ka theksuar ajo, numri pritet të rritet akoma. Rama ka thënë se situata me pandeminë COVID-19 në Podujevë është nën menaxhim.
“Duhet theksuar se kemi edhe katër mostra të dyshuara, por rezultatet ende s’kanë dalë edhe pse testimet janë bërë para dy dite. Ndërkaq, me rastin e ri të konfirmuar sot ka shkuar në 19 numri i rasteve aktive në këtë rajon. Një pacient e kemi pasur në Klinikën Infektive dhe është liruar sot, e që gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Po ashtu, sot e kemi dërguar një rast në Klinikë, pasi i njëjti ka edhe sëmundje tjera shoqëruese serioze dhe që është me COVID-19. Ai është konfirmuar me virus para tri dite dhe i është përkeqësuar gjendja. Pritet të rritet numri i rasteve aktive në Podujevë, por që prapë gjendja është e menaxhueshme, ku për çdo rast të ri i marrim aktivitetet”, ka thënë Rama, teksa ka apeluar tek qytetarët që t’u përmbahen masave për mbrojtje nga pandemia.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka regjistruar të martën 52 raste të reja me koronaviurs, pas 302 testimeve të bëra me mostrat e marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Po të martën, ky Institut ka njoftuar se nga virusi janë shëruar edhe 39 persona, duke e çuar numrin total në 1,108.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë janë regjistruar 2,268 raste me virusin korona, prej raportimit të rasteve të para më 13 mars. Prej tyre, 38 pacientë kanë vdekur dhe të njëjtit kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info