Edhe një rast me koronavirus është konfirmuar sot në Podujevë, nga gjithsej 19 rastet e ditës së sotme në Kosovë, raporton Llapi.info.
Sipas IKSHPK-së, i infektuar me COVID-19 është një banor nga fshati Bellopojë. Në lidhje me këtë rast, epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama ka deklaruar për Llapi.info se burimi i infeksionit është nga Vushtrria, derisa personi i konfirmuar me këtë virus, sipas Ramës, është punëtor i KEK-ut.
“Sot është konfirmuar edhe një rast me COVID-19, nga Komuna e Podujevës – fshati Bellopojë. Kemi marrë informatat se ka pasur kontakt me një koleg nga Vushtrria. Ai punon në KEK”, ka konfirmuar Rama për Llapi.info.
Më tej, Rama ka theksuar se po ashtu gjatë ditës së sotme janë dërguar për në Klinikën Infektive edhe dy persona për t’u testuar.
“Nga Podujeva i kemi dërguar edhe pacientë për t’u testuar. Njëri ka rezultuar negativ, kurse tjetrit ende s’i kanë dalë rezultatet pasi është dërguar vonë për në Klinikë, e që pritet nesër t’i dalin”, ka thënë Rama.
Duhet theksuar se të hënën janë konfirmuar edhe pesë persona nga Podujeva me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka regjistruar 19 raste të reja me koronavirus në Kosovë, pas 253 testimeve.
Përveç tyre, ky Institut ka raportuar edhe për 24 pacientë të shëruar nga sëmundja COVID-19, që shkakton virusi në fjalë.
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit, deri më tani në Kosovë janë infektuar me koronavirus 1 mijë 142 qytetarë, prej tyre 871 janë shëruar, kurse 30 pacientë tashmë kanë ndërruar jetë./Llapi.info






