Mësuesit në pension i cili u gjet pa shenja jete mbrëmë në shtëpinë e tij në fshatin Krilevë të Kamenicës, Xhemajl Demolli, nesër do t’i jepet lamtumira e fundit, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të familjarëve, varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e fshatit në orën 12:00.

67-vjeçari u gjet me plagë që dyshohet se u shkaktuan nga arma e zjarrit dhe të cilat rezultuan të jenë fatale për të.

Sinjali mëson se atë fillimisht e ka gjetur një familjar i tij, i cili ka njoftuar menjëherë Policinë dhe ekipin mjekësor të Emergjencës.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se 67-vjeçari ka ndërruar jetë.

Çka gjeti Policia në vendngjarje?

Sipas informacioneve të para të cilat i ka siguruar Sinjali, Demolli dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij, duke kryer aktin final me një armë zjarri e cila u gjet nga Policia në vendngjarje.

Arma e tipit pushkë automatike AK47, u sekuestrua nga organet e hetuesisë në cilësinë e provave materiale, teksa janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.