Ka shkuar në 17 numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për medie, raporton Llapi.info.

Vitia ka thënë se gjendja e dhjetë pacientëve, sa janë të hospitalizuar është stabile, me përjashtim të më të moshuarit. Sipas VItisë, dy pacientë janë liruar nga Klinika Infektive, pasi gjendje e tyre ka qenë e mirë.

“Madje dy nga të hospitalizuarit janë liruar në shtëpi në gjendje stabile dhe do të qëndrojnë në shtëpi në vetëizolim”, ka thënë ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Naser Ramadani, në këtë konferencë ka bërë të ditur se rasti i ri ka lidhje me personin e infektuar me koronavirus nga Podujeva.

“Rasti i fundit është rasti i Dumnicës, i lidhur me rastin e parë të konfirmuar”, ka thënë shkurtimisht Ramadani.

Po ashtu, Ramadani ka folur edhe për rastet e fundit që janë detektuar në aeroportin e Prishtinës, teksa është shprehur i gëzuar se të njëjtat nuk do të mund të kenë vatra të përhapjes.

“3 rastet e konfirmuara, janë raste të cilat janë detektuar përmes ekipeve mjekësore në aeroportin Adem Jashari.  Pra nënkupton që këto tri raste nuk do të kenë vatra të përhapjes së infeksionit tek të tjerët”, ka thënë ai./Llapi.info