Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se 58 rastet të cilat kanë rezultuar pozitive janë të shpërndara në shumë komuna.
Komuna si Fushë Kosova, Prishtina, Vushtrria, Mitrovica e Vitia sot kanë pasur më shumë raste.
“Rastet pozitive janë nga: komuna e Fushë Kosovës 12 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Miradi e poshtme dhe 6 raste Fushë Kosovë ), komuna e Vitisë 12 raste (sipas vendbanimit: 7 raste Zhiti dhe 5 raste Beguncë), komuna e Prishtinës 11 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Prishtinë), komuna e Mitrovicës 10 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Mitrovicë, 3 raste Kçiq i madh dhe 1 rast Suhodoll), komuna e Vushtrrisë 9 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Akrashticë, 2 raste Vushtrri, 2 raste Reznik dhe 1 rast Dobërlluk), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren) dhe 1 rast me vendbanim në Rahovec”, thuhet në njoftim.
Kurse, siç njoftoi IKSHPK-ja ka pasur raste pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.
“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare dhe shëndetësore për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mos-mbajtjes së maskave”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
IKSHPK-ja ka bërë të ditur se pakujdesia mund të shtojë rrezikun e përhapjes së coronavirusit.
“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
“Ju lutem të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve! Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thuhet tutje në njoftim.