Milot Rashica po tregohet vendimtar për Werder Bremenin, ndërsa në Gjermani parashikojnë që sulmuesi i krahut të japë kontributin e tij të madh për të ndihmuar Kosovën që të kualifikohet në “Euro 2020”.
Rashica më 28 shtator është kthyer në fushë nga një lëndim muskulor që e mbajti jashtë që nga 17 gushti. Në dy ndeshjet e para pas kthimit, 23-vjeçari ka shënuar gola. Fillimisht shënoi në barazimin 2:2 me Borussia Dortmundin, ndërsa të dielën mbrëma realizoi në kohën shtesë nga pika e bardhë për t’i siguruar Werderit barazimin 2:2 në udhëtim tek Eintracht Frankfurti, shkruan sot Koha Ditore.
Rashica ende nuk është në formën më të lartë, ndërsa ndaj Eintrachtit vetëm në momente ka shfaqur magjinë e tij. Por mori përgjegjësinë për të gjuajtur penalltinë në momentin kur presioni ishte i madh – në fund të ndeshjes. Dhe nuk dështoi.
“Miloti ka pasur një pushim më të gjatë për shkak të lëndimit. Ai ende nuk është në më të mirën e tij, por ka shënuar në një situatë me presion”, ka thënë të hënën trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt. Ylli i Kosovës vetë kërkoi që të gjuajë penalltinë, në mungesë të lojtarit që zakonisht gjuan nga pika e bardhë te Werderi. Lojtarët e tjerë kanë treguar se Rashica është ndier i qetë dhe ka kërkuar të kryejë goditjen nga pika e bardhë.
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)