Screenshot
Lokale - eSIMy

Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar kërkesën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu për vlerësimin e kushtetuetshmërisë së dekretit të presidentes në largim Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur sot sekretari Veton Dula.

Sekretari i gjykatës më të lartë të vendit tha të martën se vendimi do të merret “pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese” të pretendimeve të parashtruara në kërkesë.

Nga 9 marsi, Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar kërkesën e kryetares Haxhiu, e cila është bashkuar në një lëndë bashkë me lëndën e parashtruar në këtë gjykatë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, tha Dula të martën në një deklaratë për Front Online.

Dula nuk ka specifikuar datën kur gjykata planifikon të publikojë vendimin.

Ndërsa, portali Indeksonline raportoi sot bazuar në burime se Gjykata Kushtetuese pritet t’i japë të drejtë kërkesës së kryetares Haxhiu kundër dekretit të nxjerrë nga presidentja Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Në javën e parë të marsit, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani përmes së cilës ndaloi “çdo vendim dhe veprim të mëtejmë” nga presidenca dhe kuvendi.

Kjo nënkupton se shefja e shtetit nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.