Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) që të reduktohet puna dhe të vazhdohet vetëm me shërbime esenciale gjatë së enjtes është anuluar seanca ndaj Pal Lekaj për rastin e 53 milionëve euro, ka konfirmuar avokati i tij Musa Damati.

Ai ka bërë të ditur se janë njoftuar nga gjykata për anulimin e seancës pas vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve.

“Seanca e sotme është shtyrë dhe kjo për shkak të vendimit të KGjK-së që t’i bojkotojë të gjitha të seancat gjyqësore si konsekuencë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave në sistemin e drejtësisë”, tha avokati për Ekonomia Online.

Damati ka thënë se në kuadër të kësaj, është menduar të ftohet në cilësinë e dëshmitarit, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Avokati Damati konsideron se klienti i tij, ish-ministri Pal Lekaj, në asnjë rast nuk mund të jetë fajtor, pasi që vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë.

“Klienti im, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj nuk ka pasur rol të vendimmarrjes në procesin e autorizimit të transaksionit prej 53 milionë euro lidhur me projektin e autostradës. Në këtë rol të vendimmarrjes e ka ushtruar Qeveria e Kosovës e cila në mbledhje të hapur me shumicë votash ka aprovuar autorizimin e transaksionit prej 53 milionë eurove, andaj nuk ekziston as edhe një lidhje kauzale ndërmjet veprimeve të klientit tim dhe shkaktimit të pasojës së veprës penale”.

“Duke u bazuar në të gjitha këto prova, mbrojtja synon që gjatë këtij procesi gjyqësor ta ftojë edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në cilësi të dëshmitarit për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor”, tha Damati. /EO/.