Fondacioni i Mijëvjeçarit, sipas specialistes së sektorit privat pranë këtij fondacioni, Rozafa Ramadani, ka bërë hulumtim ndryshe nga ai i Agjencisë se Statistikave të Kosovës, për nivelin e papunësisë në Kosovë.
Sipas saj, mënyra e anketimit ka qenë më i detajizuar, duke bërë që përmes pyetjeve t’u ofrojë hapësirë anketuesve të shprehen dhe të tregojnë më shumë se vetëm përgjigjet e prera.
“50 për qind kanë dalë si persona joaktivë prej ku 26.4 për qind studentë”, ka thënë ajo.
Shifër më shqetësuese, sipas saj, është që 22.2 për qind te personave joaktivë janë duke u kujdesur për fëmijë, e prej tyre shumica absolute janë gra.
“Gjë që e bën më të vështirë që gratë të kyçen në tregun e punës”, ka thënë ajo.
“Në grupin joaktivë kemi diku 18 për qind që janë të dekurajuar, të cilët nuk kërkojnë punë”, ka thënë Ramadani.
“Me të dhënat tona del që 16 për qind është papunësia, rreth 84 për qind e personave janë të punësuar ose joaktivë”, ka thënë ajo, duke shtuar se ky hulumtim është bërë me metodologji e Eurostatitm, të cilën siç ka thënë se e përdorin edhe vendet evropiane.
“Tek ne nuk po del aq problem papunësia, sa jo aktiviteti i popullatës”, ka thënë ajo./KTV