Ministri për Kthim e Komunitete, Goran Rakiq, ka folur ekskluzivisht për Klan Kosova, pas takimit që e kishte me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

“Se di çka ka deklaruar ambasadori amerikan por atë që do ja them juve, ia thashë edhe atij. Vendimi i reciprocitetit nuk mund t’i referohet njerëzve që jetojnë në Kosovë. Pra, ka të bëjë me njerëzit e palës së tretë. Pra ndaj dikujt për shembull që ka tabela të veturës e letërnjoftimin të Beogradit.Nuk mundet që dikujt që jeton në Kosovë të i merren të drejtat që tashmë i ka. Kemi letërnjoftime e tabela që janë të pranuara në krejt botën por që dikush do të na marrë këtë të drejtë”, shtoi Rakiq.

Rakiq, që është kryetar i Listës Serbe, vazhdoi të flasë për atë se si sipas tij, serbët në Kosovë, duhet të përjashtohen nga reciprociteti me dokumente e regjistrime të targave të veturave, njofton Klan Kosova.

Ai, refuzon të quhet “ministër i barrikadave”.

Rakiq është parë sikur në barrikadat e serbëve në Zveçan e Leposaviq, mes të dielës e hënës këtë javë dhe po ashtu në shtator të 2021-ës.

“S’kam lexuar që jam ministër i barrikadave por jam gjithnjë i pranishëm aty me të vetmen arsye që ta ruaj paqen, paqen dhe vetëm paqen dhe që të mos lejoj që të ndodh ndonjë incident. Ky është roli im të cilin do ta kem edhe më tutje”

Rakiq, shtoi se s’mund të thotë sesi situata do të rrjedhë tutje pas zhvillimeve më 31 korrik e 1 gusht.

Kosova pezulloi për 30 ditë zbatimin e masës reciproke me dokumente kjo me kërkesë të Uashingtonit.

“Në këtë moment askush se di çka do të ndodh , ato barrikadat që u hoqën nuk ishin aksion por reaksion ndaj hapave të njëanshëm të Prishtinës. Kur thoni se kjo është në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, i lus të gjithë që edhe njëherë ta lexojnë atë ujdi. Aty qartë shkruan se marrëveshje është në lidhje me palët e treta, pra në njerëz që vijnë nga një territor tjetër” thotë Rakiq.

Ai, pranoi se me kryeministrin Albin Kurti, s’komunikoi këtyre ditëve dhe se në njëfarë formë janë interesuar ta rrëzojnë qeverinë ku është ministër.

“Secilën herë opozita e ka vetëm një qëllim që të rrëzoj qeverinë aktuale. Unë po që jam ministër në këtë qeveri por jam ministër opozitar për një arsye të thjeshtë. Mua në qeveri nuk më ka emëruar z, Kurti por e drejta ligjore që pakica e cila merr më së shumti vota ka të drejtë të delegoj një ministër. Mua në këtë qeveri më ka deleguar e votuar populli serb”, shtoi lideri i LS-ës, që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës.