Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha pas takimit me ambasadorin amerikan, Jefferey Hovenier, se i dëgjoi me vëmendje porositë e tij për çështjen e reciprocitetit, por tha se vendimi i qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Në një bisedë ekskluzive për gazetarin Besnik Tahiri, ai tha se me ujdinë e Brukselit, ndalesat eventuale mund të vlejnë vetëm për palët e treta që hyjnë në Kosovë, ose për ndonjë makinë me targa të Serbisë, por jo edhe për ato të serbëve të Kosovës.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, tha në këtë bisedë, se Lista Serbe e synon rrëzimin e qeverisë Kurti, dhe se për këtë qëllim bëri me dije se rreshtohet edhe me opozitën.

Ai, pranoi se me kryeministrin Kurti, nuk e ka pasur asnjë takim gjatë dhe pas zhvillimeve të 31 korrikut e 1 gushtit në veri të vendit.