Zhdukja e tërësishme e Coronavirusit mund të bëhet vetëm pasi të zbulohet vaksina e që mund të zgjasë deri një vit.
Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, mikrobiologu Lul Raka, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se zhdukja e pandemisë mund të ndodhë pasi të gjendet vaksina, e që mund të zgjasë një vit.
Raka ka thënë se duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin por duke pasur kujdesin maksimal. Sipas tij, Kosova e ka fituar betejën kundër Coronavirusit, por jo ende luftën.
“Pandemia mund të mundet kur të gjendet vaksina, e cila është e sigurt dhe është efikase dhe kur ka mundësi të prodhohet në mënyrë masive, sepse në qoftë se vjen deri në një vaksinë të tillë ajo merr një vit. Ne duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin por, duke pasur kujdesin maksimal”, shtoi Raka.
Profesori Raka, ka thënë se mund të ketë valë të dytë dhe të tretë të virusit, duke marrë shembull vendet e tjera si Singapori që ka pasur valë goditëse të dytë për shkak të neglizhimit të masave.
Raka theksoi se në valën e dytë Kosova ka hapësirë që deri në sezonin e ardhshëm të përgatitet në maksimum edhe me teste, pajisje personale dhe kapacitete menaxhuese, në mënyrë që përgatitja të jetë maksimale dhe të mos ketë nevojë për një izolim të tillë sikurse herën e parë, por bashkë me Coronavirusin do të ketë edhe një armik tjetër që është gripi sezonal, gjatë vjeshtës dhe dimrit.
“Po mund të kemi valë të dytë dhe të tretë të virusit. Na e kemi parë prej shteteve të tjera që kanë hyrë së pari në këtë cikël. Në Singapor pasi ka përfunduar cikli i parë ka pasur valë goditëse të valës së dytë për shkak të neglizhimit të masave. Ka ndodhur 1 mijë e 500 raste ne konvikt të punëtorëve i cili ka qenë i mbipopulluar. Për këtë arsye masat parandaluese janë shumë të rëndësishme, sepse raste mund të ketë por mos të ketë rritje enorme dhe këto raste të jenë të menaxhueshme. Por në stadin e dytë që do të ndodh në sezonin e ardhshëm sepse virusi nuk mund të zhduket sepse tashmë është në pjesë të tjera të botës në ato jugore ku fillon dimri. Ne kemi parë në Kinë që ka pasur raste të reja”.
“Na valën e dytë Kosova ka hapësirë që deri në sezonin e ardhshëm që të përgatitet në maksimum edhe me teste dhe pajisje personale, kapacitete menaxhuese, në mënyrë që në valën e dytë të jemi sa më të përgatitur, sepse do të dimë si të reagojmë dhe ky është një element pozitiv. Një pjesë e njerëzve veç janë infektuar dhe ende nuk e dimë se sa për qind, mirëpo deri atëherë përmes testeve do ta dimë sa është përqindja e popullatës që është prekur. Në valën e dytë nuk do të ketë nevojë për një izolim të tillë sikurse herën e parë, por bashkë me Coronavirusin do të kemi edhe një armik tjetër që është gripi sezonal, në vjeshtë dhe dimër”, shtoi ai për EO.
Sipas tij, nëse krahasohet numri i rasteve të hospitalizuar dhe të vdekjeve Kosova e ka menaxhuar përtej parashikimeve situatën me Coronavirusin.
Raka foli edhe për kapacitetet e Kosovës që kanë munguar investime në Shëndetësi qe 20 vjet. Ai përmendi edhe mungesën e testeve që po përballet Kosova gjatë pandemisë.
Sipas Rakës, betejën e parë me Coronavirusin në Kosovë është fituar, mirëpo luftën ende nuk e kemi fituar.
“Nëse e krahasojmë numrin e raste, të hospitalizuar dhe të vdekjeve Kosova e ka menaxhuar përtej parashikimeve më mirë sesa që kemi menduar. Nëse merret parasysh edhe kapacitete që i ka Kosova dhe qe 20 vjet nuk është investuar në Shëndetësi. Secili shtet ka nevojë për teste, dhe ka mungesë globale. Edhe Kosova ballafaqohet me mungesë të testeve përkundër kërkesave të shumta”.
“Nuk ka furnizim të mjaftueshëm me teste. Betejën e parë me Coronavirusin në Kosovë e kemi fituar, mirëpo luftën ende nuk e kemi fituar. Prandaj, për ta fituar luftën duhen masat e parandalimit dhe të respektohen. Prandaj, secili qytetarë mund të respektojnë distancën dhe mbajtjen e maskës. Nëse sillemi mirë atëherë do të kemi më pak të raste”, shtoi Raka për EO.