Një qytetar D.B nga Sllatina e Fushë Kosovës pretendon se djali i axhës së tij është gjuajtur me armë zjarri nga një zyrtar policor A.Z.

Ai tha se familjari i tij ishte sulmuar nga polici derisa ishte duke i ruajtur bagëtitë.

” Një polic me emrin A.Z, jashtë detyrës zyrtare e ka gjuajtur me armë zjarri djalin e axhës J.B. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme derisa djali i axhës ka qenë duke i ruajtur bagëtitë. Djali i axhës është bari. Polici ka kaluar andej ku ka qenë familjari im duke i ruajtur delet. Para se ta gjuajë me armë djali i axhës është sharë nga ana e policit ” – tha ai.

Burri tha se rasti është hapur në stacionin policor në Fushë Kosovës.

“Mbrëmë e kemi thirrur policinë. Në vendin e ngjarjes ka dal edhe Inspektorati i Policisë, në vendin e ngjarjes i ka gjetur edhe gëzhojat e armës”- shtoi ai.

D.B tha se J.B, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Djali i axhës J.B nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai është shumë i frikësuar pas këtij rasti. Ka marrë trajtim mjekësor në QKMF në Fushë Kosovë. Fillimisht stafi mjekësor edhe ka hezituar ta kontrollojë atë për shkak se është bari – deklaroi D.B për Klankosova.tv

Sipas tij A.Z, ka shkuar më pas tek mjeku dhe i ka marrë edhe fëmijët me vete duke deklaruar se ishte frikësuar nga qentë që i mban djali i axhës për t’i ruajtur bagëtitë.

“A.Z ka shkuar tek mjeku dhe i ka marrë edhe fëmijët me vete. Ai ka deklaruar se kinse në momentin e ngjarjes ai ka qenë së bashku me fëmijët e tij, dhe kinse janë frikësuar nga qentë” – tha ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe Inspektorati i Policisë.

Zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka, tha për Klankosova.tv se është rekomanduar suspendimi i zyrtarit policor në fjalë për veprën “Kanosje”.

Beka tha se janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje, njofton Klankosova.tv.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me dyshimin për veprën penale të kanosjes. Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar mbrëmë dhe hetuesit janë dalë në vendin e ngjarjes. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”- tha Beka.

Klan Kosova do të ju mbajë të njoftuar me detaje të tjera lidhur me rastin në fjalë.