Një hetues i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është plagosur me armë zjarri në një incident që ka ndodhur sonte, më 23.03.2026, në Prishtinë.
I njëjti për momentin është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente të QKUK-së.
“Është sjellë një i plagosur në Qendrën Emergjente, me armë zjarri, gjendje stabile është për momentin, jashtë rrezikut për jetë. Pas ekzaminimeve në Qendren Emergjente do të transferohet në Kliniken e Ortopedisë”- ka thënë ai.
Lajmin për incidentin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 2:00 në “Rrugën B”, në kryeqytet.
Ajo ka thënë se Ppolicia është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.
“Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “B” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht policia ka nisur një hetim për zbardhjen e rastit ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është indentifikuar” – ka thënë ajo.
Deri më tani ende nuk dihen rrethanat që çuan deri te të shtënat me armë nga të cilat pësoi hetuesi i Inspektoratit Policor të Kosovës.






