Qendra Klinike Universitare e Kosovës është furnizuar me oksigjen përmes një kontrate të negociuar, pasi kontrata e vjetër kishte skaduar javën e kaluar.
QKUK ka treguar se tashmë ka në stok mbi 10 mijë litra oksigjen, por nuk ka treguar sa është kostoja e kontratës së negociuar, njofton Klan Kosova.
”SHSKUK, për asnjë moment nuk është e rrezikuar me mungesë të Oksigjenit”.
”Ka operator ekonomik të kontraktuar për furnizim, me të cilin ka lidhur kontratë, i cili njesitë përbërse të SHSKUK, i furnizon në baza javore, sipas kërkesave mbi nevojat e shpenzueshmërisë”.
”QKUK ka aktualisht sasi të mjaftuar oksigjeni, në stok ka gjithsej 10800 litra oksigjeni dhe 190 bombola me 8.5 litra”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Për shkak të situatës me koronavirus, menaxhmenti i QKUK-së ka planifikuar se në rast nevoje për trajtimin e pacientëve mund të shfrytëzohet edhe objekti i ri i Mjekësisë Sportive.
QKUK ka konfirmuar se ky objekt ka kyçje të oksigjenit qëndror dhe në të njëjtin mund të vendosen respiratorë për trajtimin e rasteve të rënda.
”Sa i përket objektit të Mjekësisë Sportive, duke e marrë për bazë situatën e krijuar, në koordinim edhe me operatorin ekonomik, jemi duke bërë përpjekje maksimale që ta funksionalizojmë objektin, pasi që i njëjti e ka të shtrirë edhe oksigjenin qendror”.
QKUK ka 15 respiratorë rezervë, krahas 56 të tjerëve që i ka funksional në klinika.






