Lokale - eSIMy

Tregtarëve të Gjilanit që operojnë në Tregun e Gjelbër pritet t’u shtrenjtohet qiraja mujore nga tri euro e gjysmë në tetë euro për metër katror, kur të dalin në objektin e ri që është afër përfundimit.

Kjo rritje e çmimit po u duket e papërballueshme, andaj po ankohen se komuna po i dëmton me këtë vendim.

Murat Zeqiri që merret me shitje të rrobave, thotë se mund ta përballojnë çmimin e qerasë deri në katër euro, por jo më shumë, pasi kriza ekonomike i ka prekur edhe ata. Njësoj edhe Shukrie Zylfiu që i punon vetë rrobat e nuseve.

Komuna fillimisht ua ka caktuar qiranë mujore prej 10 euro për metër katrorë, e që më pas e ka zbritur në 8 euro. Aktualisht, këta paguajnë 3 euro e gjysmë për metër katror, njofton Klan Kosova.

Pavarësisht ankesave, kryetari i komunës, Alban Hyseni, thotë se qiraja nuk mund të zbritet më shumë, pasi thotë se janë bërë investime, por edhe kushtet dhe hapësira në objektin e ri janë më të mira.

Tregtarët paralajmërojnë protesta nëse nuk dëgjohen ankesat e tyre.

Tregu i ri që megjithatë u ofron kushte më të mira këtyre, është afër përfundimit. Kur u nisën punimet më 2019, ishte thënë se do të kryhet për tetë muaj.