Pulmologu Ibrahim Hoti është suspenduar nga puna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, pasi i njëjti, s’u ka ofruar shërbime mjekësore pacientëve me arsyetimin se ka kryer orarin e punës, shkruan Llapi.info.
Suspendimin e tij e ka bërë të ditur në një postim në Facebook, drejtori i Shëndetësisë në këtë Komunë, Driton Veliu, ndërkohë Hoti është ndaluar për 48 orë edhe nga Policia e Kosovës.
Pas suspendimit dhe ndalimit nga Policia, kanë reaguar kolegë të Hotit, të cilët kanë protestuar sot para QKMF-së dhe para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Podujevë.
Kryetari i sindikatës, Sheqer Maliqi, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Driton Veliu. Ky i fundit, të enjten e ka quajtur të papranueshme dhe aspak në përputhje me etikën profesionale sjelljen e mjekut.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të mjekut Hoti deri në verifikimin e rastit. Përndryshe, OMK kërcënon se nëse nuk bëhet një gjë e tillë, do të ndërmerr masa sipas legjislacionit në fuqi.
OMK-ja vlerësoi se ndaj Hotit është bërë padrejtësi duke e suspenduar dhe duke e arrestuar, pa ju dhënë mundësia e sqarimit dhe pa zhvilluar hetime paraprake.
Reagon Oda e Mjekëve pas arrestimit të doktorit në Podujevë: I është bërë padrejtësi, të lirohet menjëherë
Kurse, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga organet e rendit që ta lirojnë doktorin e arrestuar të enjten në Podujevë, pas një video incizimi të publikuar në rrjete sociale dhe në mediume.
Sipas një njoftimi për media, thuhet se është për të ardhur keq se si trajtohen mantelbardhët, të cilët siç thuhet në njoftim janë të lodhur nga puna e tyre.
“FSSHK-ja e indinjuar thellë pas arrestimit të mjekut të respektuar nga Podujeva Dr. Ibrahim Hoti kërkon nga organet e rendit që ta lirojnë të njëjtin nga ndalimi prej 48 orësh pas një video incizimi të publikuar në mediume. Është për të ardhur keq se si trajtohen në mënyrë më të keqe të mundshme mantelbardhët, të cilët tashmë janë të stërlodhur”, thuhet në njoftim.
Podujevë: Gjobitet me 250 euro organizatori i protestës ku u kërkua lirimi i mjekut Ibrahim Hoti
Pas këtij rasti, kanë reaguar edhe qytetarë të tjerë, të cilët i kanë dalë në mbrojtje Hotit. Ata kanë thënë se Hoti ka punuar çdo ditë në këtë qendër, ndërkohë që është përballur me pacientë me COVID-19, ku brenda një dite ka kryer mbi 100 vizita.
Hoti është arrestuar të enjten mbrëma pasi ka refuzuar t’u japë ndihmë disa qytetarëve në QKMF-në e Podujevës./Llapi.info
Protestë në Podujevë – Mjekët kërkojnë lirimin e Ibrahim Hotit