I ftuar në emisionin “Pa maskë”, shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka deklaruar se dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, as që iu vie era shtet. Ai ka deklaruar se e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut varët shumë nga konsolidimi i këtyre dy shteteve, andaj edhe i interesojnë zhvillimet në të dy vendet, njofton 24-ore.info

“Nuk është Kosova të cilën e ëndërronim. Mos më shumë ne nuk ëndërronim një Kosovë hajdutokratë ku politikanët do të bëhen kapitalistë përnjëherë dhe shpëshehërë pyesin se si mund nga politika të bëhesh pasanik. Nga politika veç hajduti bëhet kapitalist. Dhe u bënë kapitalistë, e zhvatën Kosovën. Unë gjithnjë e më shumë e shoh këtë rini të dëshpëruar dhe kjo rini vetëm i mat rrugët si të ikë nga Kosova. Ne nuk e ëndërronim Kosovën parajsë për politikanët dhe ferr për qytetarët”, ka deklaruar Kim Mehmeti.

I pyetur rreth qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti dhe mundësisë së PDK të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës, Kim Mehmeti tha se qeverinë aktuale nuk e mbajnë partnerët e koalicionit, AAK dhe NISMA, por ajo varet nga vullneti i PDK-së dhe Listës Srpska.

“Kosova do ta ketë shumë vështirë të shpëtojë nga zhvatësit e vet. Nuk e japin ata, nuk e japin. Që ta japësh atë duhet disa njerëz t’i thonë burgut “qele derën”, strukturat politike që viteve të fundit e sunduan Kosovën, përfshirë edhe LDK-në”, ka deklaruar Mehmeti.

“Këtë qeveri nuk e mban NISMA dhe AAK-ja, e mban PDK-ja. Kjo është qeveri e PDK-së dhe e Listës Srpska. Kritikat e PDK-së ndaj kësaj qeverie janë veç që t’i gënjejnë fëmijët. PDK jo që do të futet, por ajo e mban këtë qeveri. Mund t’i ndodhë PDK-së që kjo pozitë më shumë t’i konvenojë sepse e aktron opoziten ndërsa në të vërtetë ajo e ka në dorë qeverinë. Dhe, këtë lojë ajo mund të vazhdojë ta luaj deri në fund të mandatit”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ka deklaruar se Hoti është një kryeministër që nuk është as hija e vet dhe as hija e të tjerëve. Sipas tij, as Evropa dhe as spektri politik nuk mund të gjenin një kryeministër më të dëgjueshëm./24-ore.info