Ndonëse Kryesia e Kuvendit e ka proceduar për mendim në Qeveri Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, iniciativë kjo e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, ajo nuk pritet të përkrahet nga Qeveria.

Kryeministri Avdullah Hoti nuk e konsideron të nevojshëm hartimin e një ligji të veçantë për pandeminë COVID-19, siç sugjeroi Gjykata Kushtetuese, raporton KOHA.

Në kabinetin e kryeparlamentares Osmani kanë thënë se pavarësisht përkrahjes ose jo të nismës nga Qeveria, ajo do të shqyrtohet në Kuvend.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë nuk do të marrë nismë për hartimin e një ligji të veçantë për COVID-19.

Zyra për media e kësaj ministrie ka thënë se kjo çështje do të adresohet në agjendën legjislative të Qeverisë dhe Ministrisë, dhe se kjo do të bëhet nëpërmes Koncept-dokumentit për sëmundjet ngjitëse në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin me të cilin kishte shpallur antikushtetuese masat e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë, kishte konstatuar se Qeveria nuk mund të kufizojë asnjë të drejtë themelore të qytetarëve, përmes vendimeve.

Një gjë e tillë, sipas Kushtetueses, do të mund të bëhej vetëm nëse është e paraparë me një ligj të Kuvendit.