Sot në mëngjes, kryeministri i shqiptar, Edi Rama, tha se të mbijetuarve të familjeve që u shuan në tërmet do t’u falen apartamente nga qeveria.

“Për familjet që patën viktima… kush hyn në këtë kategori duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe të hyjnë në shtëpi të reja urgjent. Ne i kemi gati mundësitë për ta. Duhet caktuar një person specifik për ta,” tha Rama. “Familjeve në Thumanë jemi gati t’u ofrojmë menjëherë apartament në Tiranë. Jemii gati dhe kemi gati arredim për 6 apartamente në Thumanë, por ju lutem komunikoni që të dimë dëshirën e tyre.”

Gjithashtu, qeveria premton të akordohen një milion lekë të reja për çdo familje që ka viktima dhe bursa për studentët. “Nxënësit në familjet e viktimave do të marrin një bursë mujore prej 15 mijë lekësh të reja në muaj. Është trefishi i bursës së ekselentëve,” shpjegoi kryeministri.

Gjithashtu, familja e dy vëllezërve nga Kosova, do të marrë një milionë lekë të reja si mbështetje financiare dhe për të përballuar shpenzimet e varrimit.

Kryeministri u tregua i prerë dhe qartësoi se personat e pastrehë dhe ata që jetojnë në kushte të mjerueshme, nuk do të përfitojnë shtëpi në këtë fushatë.

Mbetet e paqartë ç’do të ndodhë me qytetarët që kanë mbetur jashtë ngaqë shtëpitë u janë dëmtuar përtej riparimit./anabel