Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kritikave të opozitës për çështjen e pagës minimale. Hapja e rrugës që paga minimale të ngrihet në 250 euro neto ditë më parë prej Qeverisë, është kritikuar nga partitë opozitare që e kanë cilësuar lëvizjen si të pamjaftueshme.

Të premten, Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media deklaroi se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro. Në 400 e ka kërkuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në përgjigjen për partitë opozitare ka kujtuar se paga minimale ka mbetur e njëjta qe 11 vjet, kur këto parti ishin në pushtet.

“Për opozitën që po kërkon rritje të pagës minimale deri në 400 euro, ua rikujtojmë se herën e fundit kur paga minimale është rritur ajo është rritur për 10 euro, përkatësisht 50 Euro. Nga 120 Euro siç ishte vendosur në vitin 2005 në 130 dhe 170 Euro në 2011. Që atëherë e gjithë opozita e sotme, të gjitha me radhë, herë njëra e herë tjera, e besa herë të gjitha bashkë, kanë qenë në qeverisje. Por për 11 vjet, paga minimale mbeti e njëjta. Sot, po u duket e pamjaftueshme rritja e synuar në 264 euro – që është rritje prej 134 euro dhe 94 euro. Edhe një herë Qeveria Kurti po bën më shumë për qytetarët për një vit se çka kanë bërë të gjitha bashkë për më shumë se një dekadë”, ka shkruar ai në Facebook.