Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj theksoi se me miratimin e këtij projektligji mund të mundësohen investime të konsiderueshme në arsim, energji e sektorë të tjerë.
“Me këtë projektligj aprovojmë marrëveshjen që mundëson që Kosova të përfitojë 90.2 milionë euro në formë projektesh nga BE-ja, të realizuar në formë granti me donatorë të tjerë, nga huamarrja nga Banka Zhvillimore, bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës, për periudhën buxhetore 2020-2023. Zbatimi mund të ndryshojë nga procedurat dhe zyra e BE-së dhe me miratimin mundësohen investime të konsiderueshme”, tha ai.
Në mbledhjen e Qeverisë është votuar edhe projektbuxheti për vitin 2021. Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro, 200 milionë euro më pak se buxheti i vitit 2020.