Qeveria e Kosovës ka vendosur sot edhe një masë shtesë ndaj Serbisë.

Kësisoj, brendet ndërkombëtare me prejardhje nga Serbia e Bosnja të cilat deri më tani nuk paguanin taksë, nga sot do ta bëjnë një gjë të tillë.

Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Qeverisë, ndërkaq që këtë të ditur e ka bërë edhe minstri i Tregtisë, Endrit Shala.

“Sot në mbledhjen e Qeverisë, me propozim timin edhe lista e 9 brendeve ndërkombëtare që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pa masën 100 për qind, është eliminuar. Tashmë të gjitha produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do t’i nënshtrohen masës 100 për qind”, ka shkruar ai.

Ky është njoftimi i plotë i Shalës në Facebook:

Sot në mbledhjen e Qeverisë, me propozim timin edhe lista e 9 brendeve ndërkombëtare që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pa masën 100 për qind, është eliminuar. Tashmë të gjitha produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do t’i nënshtrohen masës 100 për qind

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka vendosur masën tregtare tarifore 100 % ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina më 21 nëntor 2018. Përjashtim nga kjo masë kanë disa marka apo brende të njohura ndërkombëtarësh. Pas kërkesave të shumta për inkuadrim në këtë listë, ne kemi analizuar këto ankesa, dhe futja eventuale e tyre në listën që përjashtohet nga taksa, atëherë do të humbte edhe kuptimin e taksës.

Për me tepër, duke dëshiruar që ketë një tretman të barabartë për të gjithë këto kompani, të cilat fatkeqësisht vijnë nga vendet aleate dhe mike të Kosovës, dhe duke dëshiruar që të kemi një tretman të barabartë për të gjithë, i rekomandova Qeverisë së Republikës së Kosovës për të anuluar apo hequr pikën 2 të vendimit nr. 01/76 të datës 21 Nëntor 2018, dhe aneksin e vendimit të cilin përmban listën e atyre brendeve.