Lokale - eSIMy

Qeveria Hoti, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, këtë të hënë, në mbledhjen që e pati, vendosi që të hap edhe disa pika kufitare.

Në mesin e tyre është edhe ajo në Mutivodë, shkruan gazeta inFokus.

Por, si duket, kjo pikë kufitare ishte e hapur edhe më herët.

Kështu të paktën ka thënë Sami Uka, ish-këshilltar i Arben Vitisë, gjatë kohës sa ky i fundit ishte ministër i Shëndetësisë.

“Sot Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të masave lehtësuese për luftimin e pandemisë COVID 19,  paska vendos me i hap edhe disa pika kufitare, sipas saj deri tani të mbyllura. Mes këtyre pikave qenka edhe pika kufitare në Mutivodë, e cila sipas Qeverisë sonë do të hapet nga 22 qershori 2020!!!

Për hirë të informimit të drejtë të qytetarëve, por edhe punës së palodhshme të profesionistëve të QKMF-së në Prishtinë, më duhet të njoftojë se kjo pikë (me gjasë pa dijenin e Qeverisë) ka qenë e hapur vazhdimisht dhe QKMF në Prishtinë ka siguruar ekipin mjekësor 24/7 që nga 9 marsi 2020 (d.t.th. deri dje me 14 qershor 2020 plot 98 ditë me ekipe (1 Mjek dhe 1 infermiere) 12 orëshe). Gjatë kësaj periudhe nëpër këtë pikë kufitare kanë kaluar plot 1313 qytetarë dhe të njëjtit janë regjistruar dhe kontrolluar nga ekipet tonë mjekësore”, ka thënë Uka.

Uka që është edhe mjek ka thënë që tash është e paqartë, pasi nëse Qeveria e ka konsideruar këtë pikë kufitare të mbyllur kalimi që është bërë duhet të shpallet ilegal, shkruan gazeta inFokus.

“Tani, për  ne mbetet e paqartë nëse puna jonë 24/7 për këto 98 ditë (që vazhdon edhe sot) dhe qarkullimi i këtyre 1313 qytetarëve paska qenë ilegale apo legale. Aq më tepër, që për momentin QKMF në Prishtinë përballet me mungesë të theksuar profesionistësh dhe angazhimi i një ekipi të tillë ‘ilegal’, ka vështirësuar jo pak mbarëvajtjen e punës sonë. Tashmë, marrë parasysh këtë “injorim” specifik, si dhe largimin pothuajse të plotë masave parandaluese të përhapjes së pandemisë, që ka mundësuar vlimin e rasteve brenda Kosovës, “sakrifikimi” i ekipeve mjekësore nëpër pika kufitare vetëm po krijon tollovi dhe mundësi shtesë për përhapje infeksioni.

Prandaj, është koha që ekipet e MF të angazhuara në kufi t’i kthehen punës normale nëpër institucionet e veta ku janë shumë më të nevojshme dhe më të dobishme.  Përndryshe një punë e madhe po kryhet gjithandej dhe nuk është mirë që, as rastësisht, të mohohet kaq lehtë angazhimi i palodhshëm i këtyre 196 punonjësve të angazhuar në këto 98 ditë nga 12 orë”, ka thënë Uka.