Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotshme, ndër të tjera, ka miratuar Rregulloren për riintegrimin e personave të riatdhesuar, e cila synon riintegrimin e qëndrueshëm të tyre përmes përcaktimit të përgjegjësive institucionale, kritereve dhe procedurave për përfitim nga skemat e riintegrimit.
Ky propozim për të ndryshuar rregulloren, avancon kornizën aktuale, me të cilën shumica e kompetencave në këtë fushë delegohen nga niveli qendror në atë lokal, transmeton Koha.net.
Gjithashtu, kabineti ka miratuar udhëzimin administrativ për zyrat komunale të energjisë, që përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, apo caktimin e zyrtarëve komunalë për energji, që veprojnë në kuadër të strukturave komunale, për adresimin e çështjeve në planifikim, zbatim dhe monitorim të politikave të energjisë në nivel lokal.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e detyrimeve të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave për vitin fiskal 2017-2018.
Është miratuar edhe vendimi për rialokimin e mjeteve financiare në përputhje me gjashtë marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga MAPL dhe kryetarët e komunave për projekte kapitale. Sipas një sistemi të matjes së performacës komunale, MAPL ka ndarë çmimin për performancën më të mirë komunale për gjashtë komuna, dhe nga buxheti i vet, në nënkategorinë për fondin stimulues për komuna, janë përzgjedhur 6 projekte për financim nga ky fond.
Projektet që do të financohen janë:
– “Shenjëzimi vertikal – sinjalizimi për këmbësor” – Komuna e Prishtinës;
– “Renovimi i shkollës së vjetër-SHMP teknike”- Komuna e Drenasit
– “Ndërtimi i qendrës për paraglaiding” – Komuna e Istogut;
– ”Asfaltimi i rrugës në lagjen Ganijaj”- Komuna e Junikut;
– “Digjitalizimi i arkivit komunal” – Komuna e Prizrenit;
– “Rregullimi i hapësirave për organizimin dhe funksionimin e qendrave të shërbimeve të qytetarëve në komunë” – Komuna e Shtimes;
Kabineti qeveritar miratoi vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të parcelës kadastrale me nr. 1305 e cila preket nga ndërtimi i Stacionit Policor në Komunën e Zubin Potokut.
Po ashtu, mori vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave, të cilat preken nga ndërtimi i Lokacionit të “Varrezave” Zona kadastrale Neqavc, Komuna Hani i Elezit.
Ky vendim është kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës, për implementimin e projektit “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit”, pasi që gjatë zhvillimit të projektit zbatues për segmentin C3 tek kyçja Doganaj-Hani i Elezit, në afërsi të Hanit të Elezit, është identifikuar një numër i madh i varrezave, ku do të kalojë traseja e Autostradës, të cilat edhe përkundër punimit të disa varianteve teknike gjatë fazës së projektimit nuk ka pasur mundësi të anashkalohen. Duke pasur parasysh që kjo është çështje e ndjeshme dhe në mënyrë që të krijohet mundësia për realizimin e projektit, Komuna Hani i Elezit në bashkëpunim me Bashkësinë Islame dhe Komunitetin kanë caktuar Lokacionin i cili do të jetë destinuar për varreza.
Edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, Pika Kufitare Merdar, Komuna Podujevë, është miratuar sot gjatë kësaj mbledhje.
Gjatë kësaj mbledhje është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, zona kadastrale Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq.