Porsche 550 Spyder është një veturë interesante ekskluzive dhe secila prej tyre ka një histori.

Dhe një histori të veçantë ka edhe një e tillë që kishte qëndruar “e konservuar” për 35 vjet.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për veturën e zbuluar në Shtetet e Bashkuara.

Tek një nga familjet në Kaliforninë Jugore, aksidentalisht ishte gjetur një Porsche 550 Spyder 66-vjeçar.

Bëhet fjalë për një nga modelet më të rrallë të markës – vetëm 90 njësi të këtij modeli kishin dalë në treg.

Makina unike sportive u gjet nga Bobby Green, pronari i Old Crow Speed Shop, i cili specializohet në motoçikleta.

Fillimisht, Bob Green ishte i ftuar në Kaliforninë Jugore për të vlerësuar një koleksion privat të biçikletave, pronari i së cilës vdiq së fundmi.

Kështu, gjatë inspektimit të tij, Green u ndesh me një makinë që përmbante një mrekulli të vërtetë – një Porsche 550 Spyder me ngjyrë të kuqe të ndezur në gjendje të patëmetë.

Historia e këtij 550 Spyder u zbulua me ndihmën e mikut të Green, Blue Nelson, i cili është një njohës i shkëlqyeshëm i automjeteve të rralla.

Me numrin e shasisë (0069), ai zbuloi se makina ishte prodhuar në vitin 1955.

Siç thuhet më tej, makina e rrallë sportive është pothuajse plotësisht origjinale.

Dhe, përkundër mospërdorimit të saj për një kohë të gjatë, Porsche 550 Spyder është në gjendje të shkëlqyeshme, përcjell Telegrafi.

Në trupin e makinës sportive nuk ka aspak ndryshk. Dhe, më e rëndësishmja, nën kapak, ai ka motorin e tij 1.5 litërsh me numrin 0075.

Sipas Bob, makina ekskluzive sportive tashmë ka një pronar të ri.

Koleksionisti nuk e bëri të ditur çmimin e blerjes, por për aq sa mund të gjykohet nga çmimet e ankandit, Porsche 550 Spyder vlen miliona dollarë.